Zëvendëskryeministri Bisnik Bislimi u ndalua sot nga autoritetet serbe për të hyrë në Beograd, duke iu pamundësuar kështu pjesëmarrja në Forumin për Marrëdhënie Etnike që nisi sot në kryeqytetin serb.
Pas këtij ndalimi, ani pse u ishte aprovuar kërkesa e bërë më herët, ka reaguar vetë zëvendëskryeministri nëpërmjet një prononcimi për media, transmeton Fol Drejt.
Prononcimi për media i zëvendëskryeministrit:
Sot dhe nesër ka qenë e paraparë të jem pjesë e dy ngjarjeve me rëndësi në Beograd. Fillimisht sot në tryezën e Forumit për Marrëdhënie Etnike, në një diskutim me korin diplomatik në Serbi dhe organizatat e shoqërisë civile, ku është dashtë të diskutohet për Kosovën dhe udhëtimit drejt Evropës për rajonin.
Nesër, në Forumin e Sigurisë së Beogradit kam qenë pjesë e një debati ku është dashur të diskutohej për dialogun Kosovë-Serbi. Pra, katër koncepte me rëndësi: marrëdhëniet ndëretnike, rrugëtimi drejt Evropës, siguria dhe dialogu. Kemi pasur të parapara disa takime të tjera dhe intervista për media në Beograd e media të Kosovës atje. Për këtë ne kemi paraqitur kërkesën para organeve, që javën e kaluar dhe ajo ka qenë e aprovuar.
Sot gjithçka ka qenë e rregullt, derisa në një moment të caktuar na është thënë se Serbia nuk mund të ofrojë sigurinë apo siguria ka qenë e cenuar, që për ne është një sinjal që Serbia ende nuk është e gatshme që të punojë drejt normalizimit. Është pak absurde që një konferencë për sigurinë, Serbia të pranojë që: 1) ka elemente kriminale që duan ta cenojnë sigurinë; 2) të pranojë që është e dobët të ofrojë siguri për pjesëmarrësit.
Arsyeja pse jemi kthyer është diku krejt tjetër, sepse ne kemi pasur për qëllim që Beogradit, korit diplomatik dhe qytetarëve atje t’i ofrojmë versionin e Kosovës mbi zhvillimet që janë edhe në Kosovë edhe drejt normalizimit të situatës. Ju e dini që qytetarët në Serbi janë të ekspozuar ndaj një propagande shumë të tmerrshme nga Qeveria e Serbisë dhe një të vërtete të shpikur rreth zhvillimeve edhe në Kosovë edhe në dialogun me Serbinë. Si duket ka pasur një rezistencë të madhe që të mos mundësohet edhe paraqitja dhe versioni i anës tjetër.
Ndalesa mesa di unë ka ndodhur diku rreth 85 km para se të mbërrijmë në Beograd. Do të thotë është e palogjikshme që cenimi i sigurisë të konstatohet menjëherë. Kjo ka mundur të ndodhte dhe këtu (në kufi) në mënyrë që ne mos ta bënim tërë këtë rrugë, por kjo ka qenë edhe dëshmi se si Serbia e sheh dëshirën apo gatishmërinë për normalizim të raporteve me Kosovën.
Një makinë e policisë i është bashkuar convoy-t dhe pastaj ka kërkuar që të zhvendoset në një pushimore të rrugës dhe pastaj i është komunikuar zyrës tonë ndërlidhëse që duhet të kthehemi për shkak të cenimit të sigurisë.
Këtu (në Merdare) ka pasur vonesa dhe ka pasur deklarime se gjoja nuk do të lejohet një pjesë e vizitës, meqë nuk qenka paralajmëruar nga organizatorët me kohë, por ne nuk e kemi marrë këtë si provokim, më tepër ka qenë provokim ndaj organizatorëve, mirëpo ata janë kujdesur që kjo të eliminohet menjëherë.
Ne do të përpiqemi që nesër të kyçemi në forumin e sigurisë (tryezën e diskutimit) përmes Zoom ose Skype. Njëkohësisht i kërkoj falje të gjithë korit diplomatik, organizatave të shoqërisë civile dhe organizatorëve, që nuk kam mundur të jem atje dhe të tregojmë këndvështrimin tonë për proceset në të cilat ndodhemi.
Ne nuk kemi pasur kurrfarë informate për kërcënim të sigurisë. Unë mendoj se ka qenë krejt e shpikur. Qëllimi ka qenë pamundësimi i pjesëmarrjes së një zëvendëskryeministri të Kosovës në një forum të tillë në Beograd, meqenëse është forumi kryesor që mbahet këtë vit atje dhe mendoj që ka qenë një rezistencë e madhe që në një forum të tillë të prezantohet e vërteta e Kosovës.
E njëjta polici që na ka shoqëruar deri afër Beogradit, nuk ka pasur informata për cenim të sigurisë, por pastaj një veturë tjetër që na ka kërkuar që të kthehemi, paska informata shtesë.
Faktori ndërkombëtar është i njoftuar, kështu që të gjithë e dinë, do të shohim se si ecim tutje.
Ka pasur kërkesë, vendim faktikisht për t’u kthyer. Sikur të ishte rekomandim, do të thotë sikur vendimi të ishte në anën tonë, ne do kishim vazhduar rrugën. Ne nuk jemi ndjerë të kërcënuar, mendoj që kjo ka qenë krejtësisht artificiale, por kur autoritetet vendosin, është problem pastaj që ne të themi që ne duam të vazhdojmë rrugëtimin pa lejen e autoriteteve./FolDrejt/