Sipas një grupi mjekësor lokal në Sudan, numri i të vdekurve nga protestat e dhunshme të mbajtura dje në kryeqytetin Khartoum është rritur në dhjetë.
Komiteti Qendror i Mjekëve Sudanezë njoftoi se të paktën dhjetë protestues u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën kur forcat e sigurisë përdorën forcë kundër protestuesve në Omdurman, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ambasada e SHBA-së në Sudan tha se është e “shqetësuar” për përshkallëzimin e dhunshëm në Sudan.
“Ne jemi të shqetësuar për raportet e vdekjeve në mesin e protestuesve, për përdorimin e municioneve të gjalla nga autoritetet dhe për sulmet ndaj personelit mjekësor”, tha ambasada në Twitter.
Sipas dëshmitarëve, mijëra protestues arritën t’i afrohen pallatit presidencial në kryeqytetin Khartoum.
Autoritetet ndërprenë shërbimet e internetit dhe të komunikimit para protestave të cilat u mbajtën në përvjetorin e grusht shtetit të vitit 1989 që rrëzoi qeverinë e fundit civile të zgjedhur.
Dëshmitarët thanë se forcat sudaneze ngritën pika kontrolli dhe mbyllën rrugët kryesore para demonstratave mes raporteve për arrestime.
Para protestave, policia sudaneze tha se do të mbrojë protestat paqësore, por paralajmëroi se do të mbrohet nga sulmet e protestuesve.
Sudani ka përjetuar trazira që nga tetori i vitit të kaluar, kur ushtria shkarkoi qeverinë kalimtare të kryeministrit Abdalla Hamdok, një veprim që u dënua nga forcat politike si një “grusht shteti ushtarak”.
Sipas mjekëve sudanezë, të paktën 100 persona janë vrarë që atëherë në protesta./FolDrejt/