Banorët e fshatit Çikatovë e Vjetër po protestojnë prej ditësh për shkak se Kompania “Ferronikel” po deponon materie të rrezikshme afër shtëpive të tyre.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimi Hapësinor në një përgjigje dhënë Radio Kosovës ka thënë se ka urdhëruar operatorin të pezullojë përkohësisht dërgimin e mbeturinave në këtë fshat.
Banorët e fshatit Çikatovë e Vjetër të Drenasit po protestojnë kundër Kompanisë “Ferronikeli”, që, sipas tyre, po deponon materie të rrezikshme të mbetjes industriale, të quajtur “skorie”, afër shtëpive të tyre. Muhamet Morina, një nga banorët, tha se Kompania e “Ferronikelit” duhet të ndërpresë transportin e kësaj materie të rrezikshme deri në gjetjen e një zgjidhjeje.
“Kërkojmë nga Ministria e Ambientit që të rishikojë lejen që ia ka dhënë Kompanisë “Ferronikeli”, për shkak se ne nuk kemi qenë në dijeni që kompanisë i është lëshuar leje. Kërkojmë nga “Ferronikeli” të ndërpresë transportin dhe të njoftojë mbi planin e menaxhimit të mbeturinave dhe masat e sigurisë në punë”, ka thënë Morina.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimi Hapësinor në një përgjigjeje dhënë Radio Kosovës ka thënë se bazuar në ankesat e banorëve të Çikatovës së Vjetër, ministria ka inspektuar këtë pjesë dhe ka urdhëruar operatorin që përkohësisht të ndërpresë dërgimin e mbeturinave të skories në Çikatovë deri sa të plotësohen kushtet e përgatitjes së terrenit. Megjithatë Avdullah Morina, një banor tjetër, tha se po u cenohet e drejta e lëvizjes së lirë nga mjetet e mëdha që transportojnë materie të rrezikshme shumë afër shtëpive të tyre.
“Po na cenohet e drejta e lëvizës së lirë, një prej të drejtave themelore. Ne kemi biseduar me ekspertë të ambientit rreth kësaj materie të rrezikshme, të cilët na kanë sugjeruar gjithsesi të dalim të shprehim shqetësimin tonë. Ministria e Ambientit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka qenë e pajtimit t’i ndërpresin punimet deri në rregullimin e kushteve që duhet plotësuar për transport të kësaj materie”,ka thënë Morina.
Banorët si mundësi e shohin edhe shpronësimin nga pronat në rast se nuk mund të bëhet ndonjë zgjidhje më e mirë në rastin e tyre. Ata paralajmërojnë se do të bllokojnë rrugën çdo ditë, nëse Ministria e Ambientit dhe Komuna e Drenasit nuk reagon ndaj kërkesave të tyre. Ndërsa kryetari i Komunës së Drenasit,Ramiz Lladrovci, tha se ua ka sqaruar banorëve se kjo çështje është në kompetencën e Ministrisë së Ambientit të cilët i kanë dhënë leje operimi i kësaj kompanie.
“Ne ua kemi sqaruar qytetarëve se e drejta e protestës është e drejtë e paraqitur me kushtetutë, por asnjëherë nuk kanë të drejtë për të penguar operatorët ekonomikë në punën e tyre”, ka thënë Lladrovci. Sipas tij, Ministria e Mjedisit ka dhënë leje bazuar në standardet evropiane. Radio Kosova ka kërkuar përgjigje nga Kompania “Ferronikel” lidhur me protestat e banorëve, por nuk ka qenë e mundur të merret ndonjë përgjigje.