Tetëdhjetë e tre për qind të votuesve për kryetarin e ri të bashkisë votojnë “pa shenjë” në një votim të përsëritur. Ata që kanë dorëzuar fletën e bardhë janë shtuar nga votimi i parë tek i dyti. Kaq mjafton që pushteti të mos ketë më qetësinë të përballet me qytetarët e tij që kanë gjetur një mënyrë për të refuzuar ata që janë tallur përmes pushtetit…
Shkruan: Agim Baçi
Shkrimtari portugez, Jose Saramango, përmes rrëfimit në romanin “Le të Ulërijmë”, ka thurur metaforën e revoltës më ironike përballë një kulmi të komunikimit të gjithanshëm- revoltën përmes mungesës së fjalës në letrën ku politika kërkon konfirmim për vazhdimin e përditshmërisë së saj. Autori nuk e fsheh aspak qëllimin e tij për të na sjellë një fakt nga ku nis shumica e devijimeve në një shoqëri ku flitet për demokraci- faktin se shumë politikanë nuk duan ta besojnë këtë refuzim popullor ndaj tyre, nuk duan ta pranojnë se ka një mosbesim ndaj tyre. Ndaj nisin të përhapin versionin më të parë dhe që i jep kohë të gjejnë zgjidhje- të përhapin lajmin se armiku duhet të jetë duke shfrytëzuar “të pa informuarit” dhe se nuk mund të refuzohet e gjithë klasa politike e një qyteti. Ndaj shumë prej atyre që dikur janë votuar apo duartrokitur e kanë të vështirë të besojnë se janë refuzuar, se u ka ardhur fundi i kohës së tyre politike. Të gjendur përballë këtij refuzimi ata nxitojnë të përhapin fjalën se, diku armiku ka mundur të gjejë këtë “armë” të refuzimit kundër tyre.
Historinë me gjetjen e “kundërshtarit të rafinuar politik”, më rrëfimin e Saramangos, e kërkon media, e cila jo pak herë është kthyer në zgjatim të politikës. Në librin e Saramangos media zbaton gjuetinë për emrin apo emrat që u duhen politikanëve për të shpallur “gabimin e votimit”. Dhe për të projektuar armikun piketohet pikërisht ajo, gruaja e mjekut – e vetmja që, disa vite më parë, (personazh i romanit “Verbëria”) pati fatin të shihte, të kishte sytë hapur, ndërkohë që i gjithë qyteti u mbush vetëm me persona të verbër. Ajo – pikërisht ajo që ka parë dhe ka ndihmuar të tjerët – është gjahu ideal për shtypin dhe qeverinë, është historia që mund të mbartë një të shkuar që nuk duam ta kujtojmë. Dhe nis të vendoset rregulli i vjetër i atyre që e shohin pushtetin si të vetmin qëllim – rregulli i pushtetit pa Njeriun- sidomos pa njeriun që di dhe që arrin të shohë qartë atë që ndodh.
“Një rregull i pandryshueshëm i pushtetit thotë se ia vlen më mirë t’i presësh kokat para se ata të fillojnë të mendojnë, sepse më pas ka mundësi të jetë shumë vonë”. (Jose Saramango, “Le të ulërijmë”, Dudaj, Përkthim nga Nasi Lera, f. 115)
Fillimisht është kryetari i bashkisë ai që refuzon të drejtojë një bashki të pavotuar, ndërkohë që një drejtuesi policie i duhet të kërkojë të vërtetën. Qeveritarët – Presidenti, kryeministri, ministrat – vihen në garë se kush do të gjejë zgjidhjen, se kush do zbulojë kurthin. Shtypi është në garë që të gjejë fajtorin. Ndërkohë, përballë, qëndron thuajse i vetëm, një shef policie. Ai ka qenë katër vite më parë mes të verbërve të qytetit, ndërkohë që ka fiksuar mire gruan që mundi të bënte diçka në atë qytet, në kohën kur nuk shihte askush. Dhe ai guxon të kundërshtojë, të kërkojë që të mos gjendet njeriu i gabuar për ndëshkim.
“Nëse kjo që tregon këtu është e vërtetë, në qoftë se ajo grua, le ta pranojmë se ekziston, nuk u bë e verbër dhe ndihmoi të tjerët në fatkeqësinë e tyre, nuk mund të përjashtohet që autori i letrës është gjallë vetëm falë asaj, kush e di edhe prindërit e mi do të ishin midis të gjallëve sikur të kishin patur fatin ta takonin atë grua, Letra thotë se ajo vrau dikë, zotëri President, askush nuk e di me saktësi se sa persona u vranë gjatë atyre ditëve, u përcaktua që të gjitha kufomat e gjetura ishin si rezultati aksidenteve apo i shkaqeve natyror edhe ne u vumë një gur përsipër. Edhe gurët më të rëndë mund të lëvizen, Është e vërtetë, zotëri President, por unë jam i mendimit që ta lëmë grurin atje ku është, e marr me mend se nuk ka asnjë dëshmitar okular për këtë krim dhe, nëse ka patur në atë kohë, ata ishin që të gjithë të verbër midis të verbërve, do të ishte absurde, e pakuptimtë të nxirrnim këtë grua përpara gjykatës për një krim që askush nuk e pa ta kryente dhe për të cilin nuk ekziston trupi i krimit. Autori i letrës pohon se ajo ka vrarë. Po, por ai nuk thotë se ka qenë dëshmitar i krimit…” ( Po aty, f.189)
Përmes ironisë dhe një humori të zi autori arrin të ndërthurë anët e padukshme të pushtetit dhe historisë dëshpëruese të betejës në shoqërinë e sotme, ku më i rrezikuari nga të gjithë është ai që di dhe thotë të vërtetën. Janë fjali pa një ndërprerje, ku nuk dihet ku nis e mbaron komunikimi, si për ta pikturuar një shoqëri që ka hequr kufijtë e vlerave dhe është nën kurthin e një pushteti që nuk ka në qendër më Njeriun, por vetveten, që nuk ka qëllim të gjejë të vërtetën, por të ndërtojë një fabul për karrigen…
“Komisari, si mbylli telefonin, pyeti me vete se mos ishte marrëzi që kishte pohuar se linja telefonike, si t’i përkiste vetëm atij, ishte e sigurt dhe se në mbarë vendin asgjë nuk kishte që të ishte më e sigurtë se ajo. Ngriti supet dhe murmuriti, Pak rëndësi ka, asgjë nuk është e sigurt, askush nuk është i sigurt… Ai nuk fjeti mirë, pa në ëndërr një re me fjalë që i vidhej dhe i zhdukej kur ai i ndiqte me një rrjetë për flutura duke iu lutur, Ndaloni, ju lutem, mos lëvizni, më prisni…. Ai kapi një gazetë. Ishte një ëndërr e ligë, por do të ishte edhe më keq sikur albatrosi të shkonte të nxirrte sytë e gruas së mjekut”. (Po aty, f.280)
…Saramango, duke thurur këtë revoltë kaq të pamenduar dhe të pamenaxhueshme nga politika – atë të refuzimit pa fjalë, pa forcë fizike, por përmes një letre të bardhë duke mohuar emrin dhe emrat që e shohin pushtetin si të pacënueshëm-, duket sikur na kërkon edhe ne të gjithëve që të “Ulërijmë” përpara se të kemi humbur fytyrën dhe zërin… /FolDrejt/