Në mëngjesin e së mërkurës Policia e EULEX bastisi dhe arrestoi ish-zëdhënësin e UÇK-së Jakup Krasniqi.
Një ditë më vonë, këtë të enjte, fillimisht kryetari i PDK-së Kadri Veseli njoftoi se i është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale dhe se “vullnetarisht do të niset për në Hagë”. Pak orë më vonë doli Hashim Thaçi, tashmë ish-president, njoftoi po ashtu se i është konfirmuar aktakuza dhe se do të niset për në Hagë.
Por, pse u nuk u veprua njëjtë për bashkëluftëtarët?
Taulant Hodaj, avokat i akredituar nga Dhomat e Specializuara, thotë se janë dy procedura që mund të ndiqen dhe për këtë vendos gjyqtarët e procedurës paraprake.
“Gjykata mund t’i ftojë me urdhërparaqitje ose me fletarrest qysh ndodhi me Jakup Krasniqin. Ka bazë ligjore edhe për arrestim edhe për urdhërparaqitje. Janë procese të brendshme se pse për dikë kanë paraparë arrestimin dhe pse për dikë urdhërparaqitjen. Janë kushtet kur pretendohet se me rastin e arrestimi i ndihmohet procesit të drejtësisë dhe eliminohet mundësia e arratisjes, si dhe marrja e provave”.
Por, a u ‘amnistuan’ nga arrestimi për shkak të postit të lartë që mbajtën Veseli dhe Thaçi?
“Zyra e Prokurorit duke pasë parasysh rrethanat kanë mund ta kenë arsye edhe funksionet shtetëore, si në rastin e Thaçit që të mos shkohet me arrest. Megjithatë këtë s’e dimë, por mund të ketë një prej arsyeve. Besoj që ka vendosur mirë. Arrestimi nuk është i domosdoshëm pasi që të gjithë janë paraqitur me vullnet”.
Në bazë të ligjit çdo institucion i Kosovës është i obliguar të lehtësojë punën e Gjykatës Speciale sikur është udhëtimi i akuzuarve apo edhe infrastrukturë tjetër.