Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi dekretet për shkarkimin e dy ambasadorëve, në Letoni, Mikhail Vanin dhe në Estoni, Vladimir Lipaev, u njoftua në Moskë.
Në të njëjtën kohë, Rusia e shpalli ambasadorin e Estonisë persona non grata në bazë të reciprocitetit, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme ruse, përcjell Fol Drejt.
“Për kreun e misionit diplomatik të Estonisë u bë protestë e fortë për shkak se zyrtari diplomatik i ambasadës ruse në Talin u shpall persona non grata më 24 mars, pa asnjë bazë. Një diplomat i nivelit të ngjashëm nga ambasada e Estonisë në Moskë do të duhet të largohet nga Rusia në të njëjtën kohë kur pala estoneze ka përcaktuar largimin e kolegut tonë”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, Estonia ka reduktuar marrëdhëniet dypalëshe me Moskën në një minimum absolut. Letonia atëherë, për solidaritet me Estoninë, vendosi gjithashtu të ulë nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Rusinë.
Në janar të këtij viti, Ministria e Punëve të Jashtme të Estonisë njoftoi se, për shkak të nevojës për të arritur barazinë në numrin e punonjësve në ambasada, Rusia duhet të zvogëlojë numrin e punonjësve në 8 poste diplomatike dhe deri në 15 poste administrative deri në shkurt.
Rusia, në përgjigje të një reduktimi të ndjeshëm të numrit të stafit në ambasadën e saj në Talin, vendosi të ulë nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Estoninë dhe ftoi ambasadorin e vendit të largohej nga Moska./FolDrejt/