Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), është bërë e ditur se për shkak të vërshimeve në nivel vendi, institucionet relevante kanë ngritur gatishmërinë, shkruan Fol Drejt.
Nëpërmjet një komunikate për media, MPB ka bërë të ditur se “që nga fillimi i reshjeve të shumta të shiut me ç’rast dje gjatë ditës dhe mbrëmë u përballëm me vërshime në disa rajone të vendit tonë, Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka ngritur nivelin e angazhimit dhe ka vijuar me koordinimin e të gjitha institucioneve në përballimin më të lehtë të kësaj situate.”
Po ashtu në komunikatë thuhet se “përveç situatës me vërshime, në disa zona mbrëmë ka pasur edhe rrëshqitje të dheut dhe bllokim të qarkullimit në disa rrugë nacionale por pas koordinimit dhe angazhimit ndër-institucional, në orët e para të mëngjesit janë hapur të gjitha rrugët dhe tanimë të gjitha janë të qarkullueshme.
Njësitë Profesionale të Zjarrfikësve në bashkëveprim me Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë arritur të evakuojnë familje që kanë qenë të bllokuar apo në rrezik potencial.
Me kërkesë të Komunës së Mitrovicës, Agjencioni i Menaxhimit Emergjent ka dërguar ekipin e pompimit me kapacitet të lartë për intervenim ndërsa është dërguar edhe një cisternë uji për furnizim me ujë të pijes.
Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme është duke mbledhur dhe evidentuar të gjitha kërkesat në mënyrë që të aktivizojmë kapacitetet tona për ndërhyrje të menjëhershme me qëllim të parandalimit të çdo përkeqësimi të mëtutjeshëm të situatës.”
Për çdo rast MBP apelon tek qytetarët për bashkëpunim me institucionet tona duke kontaktuar pa pagesë në numrat:
112 – Numri unik emergjent
192 – Policia e Kosovës
193 – Zjarrfikësit dhe
194 – Ndihma e shpejtë.
/FolDrejt/