Qeveria e Republikës së Kosovës e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti, me vendimin për vazhdimin e shtesës prej 50 eurosh për punëtorët e sektorit privat, përsëri i ka shpërfillur punëtorët e sektorit publik, shkruan Fol Drejt.
Ndonëse sektori privat është punëdhënësi më i madh, e për rrjedhojë edhe ai që kontribuon më së shumti në arkën e shtetit, kjo nuk po merret parasysh kur bëhet fjalë për pakot e ndihmave të cilat po i shpërndanë qeveria aktuale te qytetarët, për t’ua lehtësuar këtyre të fundit barrën e “luftës” ndaj inflacionit, përkatësisht krizës ekonomike.
“Është një vendim diskriminues, ku këto vendime kanë mund të merren në vitet e 90-ta. Të bësh një lloj ndarje të këtyre punëtorëve, ku përbën pjesën më të madhe që paguajnë tatimet dhe janë simuluesi më i madh i arkës së shtetit dhe kur dihet që punëtorët e sektorit publik janë dy deri në trefish me paga më të mëdha, kjo në të vërtet nuk do koment” – ka thënë Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat Jusuf Azemi.
Duke e komentuar vendimin e fundit të qeverisë, Azemi për Telegrafin ka thënë që të mos stimulohet një punëtor “që merr pagë 170 euro, e të stimulohet ai që merr 1,700 euro”, ndërkohë që kjo është hera e katërt që bëhet kjo padrejtësi, dëshmon se kjo qeveri nuk është e punëtorëve privat.
Sipas Ministrit të Financave Hekuran Murati, ky propozim ndërlidhet me Pakon shtesë për Përballjen me Inflacionin:
“Për të mbuluar hendekun deri në muajin shkurt, edhe kur priten të ekzekutohen pagat me Ligjin e ri të Pagave. Ky propozim ka të bëjë në kuadër të shtesës së Pakos me Përballjen me Inflacionin”, tha Murati në arsyetimin e vendimit.
Në mbledhjen e fundit të qeverisë u mor vendim që edhe personeli shëndetësor t’i ndahen 60 euro shtesë.
“Së pari kjo është politike përnime e poshtër me funksionu me vitra. Së dyti, NUK po e kuptoj pse përjashtohet sektori privat nga këto vitra?! Kush e mbush buxhetin e shtetit, pse punëtoret në sektorin privat nuk duhet me përfitu prej kontributeve të veta që shkojnë në buxhet të shtetit?! Koncepti i partisë që qeverisë dhe qeverisja që po bëhet, nuk kanë asnjë të përbashkët. Marre për bese!” – ka shkruar qytetari B.M.
“Mbledh tatime nga të punësuarit në sektorin privat, e i shpërndan punëtorëve në sektorin publik!
Pa qenë njeriu përnime kompjuter 386 nuk mundet me pasë këtë lloj kreativiteti e ‘gjeneroziteti’” ka shkruar A. S, një tjetër qytetar.
Rrjetet sociale janë mbushur me reagime e pakënaqësi, nëpërmjet të cilave ata ia kujtojnë qeverisë se ky diskriminim, nuk është aspak i drejtë./FolDrejt/