Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Shtime mbajti sot Kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor, ku me shumicë votash delegatët e këtij kuvendi zgjodhën për kryetar të Degës, Jetulla Rexhajn.
Në kuvend i pranishëm ishte edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Para të pranishmëve, Abdixhiku tha se LDK është themeluese e demokracisë dhe e shtetit, dhe natyrshëm është edhe kujdestare e të dyjave.
“Shpresa e qytetarëve ndaj LDK-së po shtohet për çdo ditë, ndaj dhe misioni ynë për rikthimin e madh të LDK-së është i bazuar në angazhim të përditshëm. Këtë shpresë dhe besim të qytetarëve na duhet ta rrisim sot, që nesër ta justifikojmë me qeverisjen më të mirë që ka pasur ndonjëherë vendi ynë”, ka thënë Abdixhiku.
I pari i LDK-së, foli edhe për problemet me të cilat po përballen qytetarët sot, derisa pati kritika edhe për Qeverinë Kurti.
“Gjersa kriza po e zëvendëson krizën, Qeveria vazhdon të luaj spektatorin; duke i thelluar edhe më tej krizat e importuara nga jashtë e duke i krijuar të rejat nga brenda. Sot, Kosova po përjeton një ndër vitet më të vështira ekonomike të dekadës së fundit. Gjersa inflacioni ka arritur shifra rekord deri në 20%, çmimet e produkteve esenciale janë dyfishuar, e qytetarët janë varfëruar për një të pestën e pasurisë së tyre. Dhe në këtë krizë, mbi 100 mijë punëtorë tashmë kanë ikur nga vendi”, tha Abdixhiku.
Duke folur për grevën në sektorin e arsimit, Abdixhiku theksoi se sistemi arsimor është jashtë funksionit si pasojë e papërgjegjësisë së kësaj Qeverie.
Tutje Abdixhiku shtoi se “prezenca e LDK-së është faktor determinues për ta kthyer vendin në normalitet e për ta zhvilluar më tej”. /Telegrafi/