Borxhi publik pritet të bjerë në 68.3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në fund të këtij viti sipas parashikimit të fundit të Ministrisë së Financave. Qeveria i ka rishikuar me ulje pritjet për borxhin në analizën e fundit që i është bërë zhvillimeve buxhetore për 6 mujorin e parë të vitit. Më herët në fillim të vitit në programin ekonomik fiskal 219-2020 qeveria synonte të çonte borxhin në 68.7 për qind të PBB-së.
Më këtë ecuri Shqipëria nuk ka arritur të përmbushë angazhimet për uljen e borxhit rreth nivelit 60% në vitin 2019 dhe do të mbetet ndër vendet me detyrimet më të larta publike në Rajon dhe në Europë.
Gjatë pesëmujorit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017 kostot e borxhit në vlerë absolute kanë shfaqur një tendencë të moderuar rritëse, kryesisht të ndikuar nga rritja e normave të interesit të bonove të thesarit përgjatë vitit 2017.
Megjithatë, kosto mesatare e portofolit të borxhit të brendshëm ka vijuar të ulet edhe përgjatë këtij pesëmujorit për shkak të rifinancimit të titujve afatgjatë që maturohen me tituj me norma interesi më të favorshme.
Për sa i përket zhvillimeve në tregun primar, kërkesa për tituj shtetërorë, megjithëse mbetet ende jo shumë e diversifikuar dhe e bazuar kryesisht tek sektori bankar, gjatë periudhës Janar-Maj 2018 ka qenë e kënaqshme dhe është shoqëruar me rritje në drejtim të individëve. Normat e interesit të titujve shtetërorë gjatë pesëmujorit të parë të vitit 2018 kanë pësuar rritje, përgjithësisht më të moderuar në raport me pritshmëritë për ecurinë e tyre.
Në fund të muajit maj 2018, Borxhi Publik u vlerësua në nivelin 1,074.3 miliard Lek. Gjatë pesëmujorit të parë të vitit 2018, borxhi publik në vlerë absolute ka shënuar rënie me rreth 13.8 miliard Lek krahasuar me fundin e vitit 2017. Rënia i atribuohet uljes së borxhit të huaj kryesisht si rezultat i nivelit më të lartë të ripagesave në raport me disbursimet, si edhe mbiçmimit të monedhës vendase në raport me monedhat e huaja që kompozojnë këtë portofol.
Peshën më të madhe në stokun e borxhit publik vazhdojnë ta mbajnë instrumentet e tregtueshme (bono thesari, obligacione, eurobond) dhe huatë e huaja me destinacion financimin e projekteve.
Niveli i borxhit të brendshëm dhe atij të jashtëm në raport me totalin e borxhit publik janë përkatësisht rreth 55% dhe 45%, duke ruajtur pothuajse të njëjtat raporte me fundin e vitit të kaluar, si edhe duke qenë në linjë me objektivat e vendosura në SAMB në kuadër të menaxhimit të riskut të kursit të këmbimit.