Qindra mbështetës të ish-presidentit brazilian, Jair Bolsonaro, në Brazil bastisën ndërtesën e Kongresit Kombëtar.
Sipas lajmit në shtypin e vendit, grupe që thërrisnin parulla që kërkonin ndërhyrje nga ushtria, kaluan barrierën e policisë dhe hynë në ndërtesën e Kongresit, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Policia ndërhyri me gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit e ekstremit të djathtë pro Bolsonaro-s.
Mbështetësit e Bolsonaro-s, të cilët organizuan një protestë kundër Presidentit të ri të Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, bënë thirrje për ndërhyrjen e ushtrisë.
Disa demonstrues u panë duke u ngjitur në çatitë e ndërtesave të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 30 tetor 2022 në Brazil, vendi më i madh në Amerikën e Jugut me një popullsi prej mbi 212 milionë banorësh, ish-presidenti i krahut të majtë, Lula da Silva, i cili udhëhoqi vendin për dy mandate, siguroi 50,9 për qind të votave dhe e djathta ekstreme e Bolsonaro-s 49,1 për qind.
Pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, mbështetësit e Bolsonaro-s fillimisht bllokuan autostradat në vend për ditë të tëra dhe më pas zhvilluan protesta para selisë së ushtrisë dhe u bënë thirrje forcave të armatosura që të ndërhynin kundër marrjes së presidencës nga Lula da Silva.
Më 15 nëntor, në 123-vjetorin e shpalljes së republikës në vend, mbështetësit e Bolsonaro-s zhvilluan demonstrata pranë selitë ushtarake në qytetet Brasilia, Sao Paulo, Rio de Janeiro, Recife dhe Belen, duke i bërë thirrje ushtrisë të ndërhynte kundër Lulës.
Ish-presidenti, Lula da Silva, i cili fitoi raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të Brazilit, u betua dhe mori detyrën më 1 janar 2023./FolDrejt/