Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj sot zhvilloi një takim pune me Kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe nënkryetarin e këtij subjekti Milan Radojçiq.
Zyra e kryeministrit në një njoftim të shkurtër sqaron se u diskutua për situatën e përgjithshme në vend.
“Në këtë takim u diskutua për situatën e përgjithshme në vend, me theks te veçantë për aspektet e sigurisë si dhe zhvillimit ekonomik e social”, thuhet në një komunikatë dërguar për media nga Zyra e kryeministrit.
Ndërkaq, ministrat e Listës Serbe në kuadër të Qeverisë së Kosovës janë duke vazhduar aktivitetin e tyre si ministra në dorëheqje.
Në ueb-faqet e ministrive të cilat ata i udhëheqin, javëve të fundit shihet se ministrat serb, kanë qenë aktiv nëpër aktivitete të ndryshme.
Kohë më parë, deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq kishte deklaruar se përfaqësuesit e kësaj liste nuk do të kthehen në Qeveri, duke shprehur gatishmëri edhe për shkuarje në zgjedhje të parakohshme.