Kosova edhe më tutje vazhdon të jetë shteti i izoluar në Evropë për shkak së nuk është pjesë e zonës shengen.
Për shkak të kundërshtimit të fuqishëm të Francës, Gjermanisë dhe Holandës, qytetarët e Kosovës edhe më tutje nuk mund të udhëtojnë pa viza drejt vendeve evropiane, pavarësisht se i ka plotësuar të gjitha kriteret për procesin e liberalizimit të vizave.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka bërë të ditur për lajmi.net, se Franca, Gjermania dhe Holanda, kanë qenë forcat kryesore në PE që e kanë kundërshtuar liberalizimin e vizave.
Tutje ajo ka thënë se në takimin e së martës në mes të kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, është diskutuar edhe çështja e liberalizimit të vizave dhe se sipas saj, kjo është një shenjë e rëndësishme.
“Është diskutuar midis kryeministrit Hoti dhe presidentit Macron në takimin e së martës bilateral që është një shenjë e rëndësishme, pasi deri më tani, Franca, Gjermania dhe Holanda kanë qenë forcat kryesore që ngadalësojnë procesin”, deklaroi Viola von Cramon për lajmi.net.
Theksojmë se edhe i dërguari special i presidenti amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i ka kërkuar BE-së që në takimin e 10 korrikut të përmbyllet çështja e liberalizimit të vizave për kosovarët.
Nga Zyra e Borell për lajmi.net janë shprehur se liberalizimi i vizave për kosovarët vazhdon të jetë objektiv i tyre, përderisa edhe Komisioni Evropian ka vlerësuar se Kosova i ka përmbushur standardet për liberalizim.
Më tutje në përgjigjen e tyre thuhet se propozimi për liberalizimin e vizave për kosovarët është pezull në Këshill, por kanë theksuar gjithashtu se duhet të trajtohet si çështje urgjente.
Theksojmë se që nga 1 korriku kur Gjermania e ka marrë presidencën e BE-së për gjashtë muaj, zyrtarët kosovarë janë shprehur optimist se do të përfundojë liberalizmi i vizave këtë vit.
Mirëpo, edhe gjatë së martës më shumë se 40 deputetë të Parlamentit Evropian u kanë shkruar letra presidentit të Francës, Emanuel Macron dhe kryeministrit të Holandës, Mark Rutte, përmes së cilave kërkojnë që BE-ja të liberalizojë vizat me Kosovën.
Këta dy liderë të vendeve anëtare të BE-së, konsiderohen si kundërshtarët më të fuqishëm të liberalizimit të vizave me Kosovës, sepse vendet e tyre nuk e kanë mbështetur një vendim të tillë në Këshillin e BE-së.
“BE-ja është duke u përpjekur që të luaj rolin e një ndërmjetësi të paanshëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, kjo nuk do të jetë e mundur nëse ne vazhdojmë t’i trajtojmë qytetarët e këtyre dy vendeve në mënyra të ndryshme, duke u ofruar udhëtim të lirë qytetarëve të Serbisë dhe duke u vendosur pengesa për të gëzuar të njëjtën mundësi atyre të Kosovës”, thuhet në këtë letër.
Kjo letër është bërë publike pikërisht në ditën kur kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është takuar në Paris me presidentin Emmanuel Macron, dhe kur pritet rifillimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë më 12 korrik në Bruksel.