Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se reagimet e fundit të BE-së lidhur me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës dhe operacionet policore ndaj disa entiteteve të udhëhequra nga Serbia kanë pasur për qëllim shmangien e tensioneve.
Këto vendime BE i ka quajtur të “të njëanshme dhe shqetësuese”.
“Përgjatë javës së shkuar kemi parë së paku dy shembuj të veprimeve që kanë nxitur shqetësimin e Bashkimit Evropian. Njëri ishte rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës dhe tjetra operacionet policore ndaj disa entiteteve të udhëhequra nga Serbia. Këta hapa janë shqetësues për shkak se ata nuk kontribuojnë në shtensionimin e situatës“, ka thënë Stano.
Më tutje Stano në konferencë ka thënë se veprimet nuk janë të koordinuara dhe pa konsultime paraprake.
“Ato veprime, zakonisht, nuk janë të koordinuara, janë të njëanshme dhe pa nivelin e duhur të konsultimeve paraprake për të shmangur ndikimin negativ që mund të kenë ndaj njerëzve në terren. Prandaj, Bashkimi Evropian reagoi ndaj të dyja këtyre zhvillimeve“, është shprehur ai.
Sipas tij, deklaratat ishin përforcuar edhe nga partnerët tjerë ndërkombëtarë si dhe nga ana e Komisionit Evropian.
“Natyrisht, se është shqetësuese kur shohim se një varg i hapave të njëanshëm mund të çojë deri te diçka që ne nuk do të donim të shihnim – përkeqësimi i situatës në terren. Sepse, një gjë është e qartë, ato veprime nuk japin kontribut për të qetësuar situatën dhe për të ndihmuar që njerëzit të ndihen se jeta e tyre po bëhet më e mirë. Krejt e kundërta. Prandaj është e rëndësishme të kthehen në dialog“, ka thënë ai.
Për fund Stano iu ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të angazhohen në procesin e konsultimeve dhe të shmangin hapat tjerë të njëanshëm.
“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që të angazhohen në procesin e konsultimeve dhe të shmangin hapat tjerë të njëanshëm sepse ata hapa kanë vërtet një efekt kundërproduktiv”, ka thënë Stano.