Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka marrë pjesë në takimin e Komitetit të Kosovës për Parandalimin dhe Eliminimin e Punëve të Rënda të Fëmijëve.
Ai gjatë takimit tha se të gjithë së bashku duhet të angazhohemi fuqishëm në parandalimin dhe eliminimin e punëve të rënda të fëmijëve.
“MPMS po bënë përpjekjet maksimale për parandalimin e kësaj dukurie. Së shpejti pritet të kalojë në lexim të dytë Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve i cili e plotëson koncept-dokumentin e hartuar nga MPMS për fushën sociale dhe familjare, koncept i cili gjithashtu parasheh qartë format për mbrojtje të fëmijëve si dhe adreson kompetencat e qarta për institucionet të cilat do të merren me këtë çështje”, tha ministri.
Reçica shtoi se në këtë mënyrë, do të ketë më shumë qartësi në aspektin ligjor për trajtimin e kësaj dukurie të dëmshme për fëmijët.