Po mbahet në Gjykatën e Posaçme seanca ku po shqyrtohet ankimimi i bërë nga avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha, mbi refuzimin e SPAK për ta lejuar të marrë pjesë në seancat plenare.
Avokatët iu drejtuan me një kërkesë prokurorëve të SPAK Arben Kraja e Enkeleda Millonai duke theksuar se kjo është një e drejtë kushtetutese, si dhe faktin se ndaj Berishës nuk ka një vendim të formës së prerë.
Por prokurët e rrëzuan teksa këtë të enjte gjyqtarja Irena Gjoka do të shprehet mbi këtë kërkesë që avokatët depozituan në GJKKO.
Kujtojmë se GJKKO caktoi më 30 dhjetor 2023, masën e sigurisë “Arrest me burg”, me mbikqyrje policore, ndaj ish-kryeministrit.
Sipas njoftimit të GJKKO Sali Berisha nuk duhet të largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: Rruga “Mustafa Matohiti”, si dhe nuk duhet të komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të.
Për ekzekutimin e këtij vendimi është ngarkuar Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfaqësuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.