Reshjet e shiut pritet të vazhdojnë edhe sot e nesër, për t’u zëvendësuar në fundjavë me ato të borës, shkruan Fol Drejt.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK), ka paralajmëruar se reshjet mund ta vështirësojnë edhe më tutje situatën në regjionet e përmbytura, për shkak të “kapaciteteve të limituara të tokave, për të absorbuar sasinë e ujit nga reshjet”.
Për rrjedhojë, Mitrovica, Skenderaj, Klina dhe qytetet e tjera të prekura më shumë, mund të përballen me një valë të re të vërshimeve, ndonëse të intensitetit më të ulët.
“Përmasimi i kushteve të përgjithshme hidrometeorologjike gjatë 2 ditëve të fundit, ka ndikuar pozitivisht në rënien graduale të niveleve dhe prurjeve të ujit, në rrjedhat lumore në tërë vendin dhe tërheqjen graduale të ujërave, sidomos të zonave të prekura nga përmbytjet.
Sipas parashikimeve dhe llogaritjeve të IHMK_s, (Sektorit të Hidrologjisë dhe Prognozave Hidrologjike), gjatë datës 24/01/2023, pritet të ketë përsëri reshje shiu, fillimisht në pjesën perëndimore dhe veriperëndimore të vendit ku parashikohet të jenë me intensiteti të ulët deri mesatarë, të cilat gradualisht do ta përfshinë pjesën më të madhe të vendit.
Duke e pasur parasysh situatën me përmbytje të deri tanishme, sidomos në Mitrovicë, Skenderaj, Klinë etj, kjo gjendje mund ta vështirësoj edhe më tutje situatën, ngase rrjedhat ujore të këtyre zonave janë në kapacitetet e tyre maksimale, tokat sidomos ato në viset e rrafshëta janë të tejngopura me ujë dhe është limituar kapaciteti i tyre absorbues, gjegjësisht lagështia e tokës në shtresën sipërfaqësore” – thuhet në njoftimin e IHK-së.
Përndryshe të premten e ardhshme pritet që vendi të përfshihet nga një mot i ftohtë, i karakterizuar nga reshjet e borës./FolDrejt/