Respekti nënkupton sjelljen me nderim ndaj dikujt apo diçkaje. Të respektosh, don që të thotë që tu përmbahesh reptësisht vlerave të diçkaje të caktuar, të plotësosh me përpikëri kërkesat e parashtruara, pra të zbatosh urdhëra të caktuara duke mos kundërshtuar. Respekti ndaj të moshuarve është një normë e shoqërisë në marrëdhëniet mes të rinjve dhe të moshuarve. Të respektosh të moshuarit, fillimisht është e nevojshme të vlerësosh përvojat e pasura të asaj gjenerate. Në shoqërinë shqiptare në përgjithësi, brez pas brezi është trashëguar një respekt ndaj prindërve, miqve, të moshuarve, duke dëgjuar dhe çuar në vend fjalën e tyre, duke u vënë veshin këshillave dhe porosive, si duke pranuar qortimet të cilat jepen në momentet kur gabohet dhe bëhet lëshim në lidhje me diçka. Sipas profesor Musa Kraja, në të kaluarën respekti ndaj të moshuarve, vëmendja për të dëgjuar fjalët dhe këshillat e tyre, ishin norma të forta … qoftë kur pasqyronin një përvojë të vërtetë jetësore, qoftë kur ishte fjala edhe për një problem të dalë kohe. Më i moshuari duhet të respektohet vazhdimisht, qoftë ai i njohur apo i panjohur, në rrugë, autobus urban, në konaqet e shtëpisë, shkollë, si dhe në ambiente të tjera. Një matës se sa respektohet një i moshuar është rasti kur një i moshuar qëndron në këmbë në autobus dhe një i ri i liron vendin që ai të ulet.
Respekti ndaj të moshuarve nuk ka qenë dhe nuk është thjeshtë një sjellje formale apo ceremoniale, por ai është i ngulitur në kulturën dhe traditën shqiptare. Një matës tjetër për respektimin e të moshuarve është ajo që kur më i moshuari flet, duhet të dëgjohet, të shihet në sy, e pasi që të përfundojë duke kërkuar ndjesë të shprehësh mendimin personal me një modesti të lartë, duke mos nënçmuar mendimin e tij.
Në 14 Dhjetor të vitit 1990, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, votoi rezolutën 45/106 për të shënuar 1 Tetorin si Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve. Tradita shqiptare padyshim që i paraprin kësaj date, pasi që respekti ndaj të moshuarve ka qenë pjesë përbërëse e të gjithë kanuneve dhe ligjeve të krahinave shqiptare në të kaluarën. Tradita shqiptare nuk ka toleruar që të moshuarve tu kundërvihet dhe të sulmohen qoftë me fjalë. Gjatë rrugës të moshuarit nuk ka qenë e hijshme të parakalohen apo tu dilet përpara. Gjithashtu edhe nëpër konaqet e burrave, qoftë në raste gëzimi apo vdekjeje, të moshuarit kanë pasur fjalën e parë dhe të fundit.