Shqipëria shpalli pavarësinë në 28 nëntor 1912 me në krye me Ismail bej Qemalin dhe 40 firmëtarët që ndodheshin atë ditë në Vlorë. Megjithatë, do kalonte thuajse një vit, kur verës 1913 do përcaktoheshin përfundimisht kufijtë e Shqipërisë – e copëtuar dhe e lënë me disa male shkëmbore, për shkak të lobimit të fuqishëm rus dhe zbehjes së ndikimit austro-hungarez që mbështeste shqiptarët.
Sesi u ndje pas vendimit themeluesi i shtetit shqiptar, Ismail Qemali (1844-1919), “Foldrejt.com” ua sjell në vijim, të marrë nga libri i tij me kujtime:
“Dashamirësia e shfaqur nga unë në misionin tim mbeti vetëm ngushëllim për zemrën e thyer të Shqipërisë, kur mora vesh vendimin që kishte marrë Konferenca e Londrës. Më se gjysma e trojeve të vendit u kishte kaluar Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Qytetet më të lulëzuara dhe viset më pjellore të vendit i qenë shkëputur.
Shqipëria ishte katandisur të mbetej pothuaj krejt me toka të thata e shkëmbore. Të zhytur kësisoj në brengosje të thellë, kur po e shihnim të ardhmen e atdheut tonë të rilindur aq të errët, po na ngushëllonin duke na thënë se duhet të flijoheshim për interesin e përgjithshëm të Europës. I nënshtruar këtij vendimi, por jo i dëshpëruar, u ktheva në Shqipëri, duke më mbajtur gjallë shpresa se rrethana më të favorshme, në një kohë tjetër në të ardhmen, do t’i jepnin mundësi Shqipërisë të realizonte aspiratat e saj të ligjshme.”
Siç duket, dëshira e pjesshme e Ismail Qemalit u plotësua në 17 shkurt 2008, kur Kosova u shpall e pavarur! Në fund të librit të tij me kujtime, shefi i parë i qeverisë shqiptare do shprehej se “ngrehina e Ballkanit mund të jetë e qëndrueshme vetëm po të forcohet Shqipëria që përbën shtyllën e katërt mbajtëse të saj”.