Shkruan: Fisnik N. Muça, Doktor i Shkencave Politike
Gjatë viteve të fundit të shekullit të 19-të, si rezultat i kushteve të rënda ekonomike dhe për shkak të presionit politik, shqiptarët u detyruan të largohen dhe të lënë trojet e veta amtare për të emigruar në tokat e pasura të Amerikës. Edhe përskaj shumë vështirësive që kishin në vitet e para të emigrimit, ata kurrë nuk i zbehën lidhjet e tyre politike dhe shpirtërore me shqiptarët që jetonin në Gadishullin Ballkanik. Diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte e përqëndruar rreth Federatës Panshqiptare “Vatra”, e cila mes tjerash ishte aktive edhe me gazetën “Dielli”. Kur Shqipëria krijoi qeverinë dhe institucionet pas pavarësimit, diaspora shqiptare në Amerikë në krye me shumë intelektualë, si me Fan S. Nolin dhe Faik Konicën, përpunoi strategjinë, idetë dhe mënyrat e veprimit kombëtar.
Me shpërthimin e Luftës Ballkanike, ushtritë e vendeve fqinje pushtuan sipërfaqe të mëdha të tokave shqiptare dhe situata në Shqipëri u bë tepër kritike. Në këto rrethana kritike dhe delikate për popullin shqiptar që jetonte në trojet e Ballkanit, diaspora shqiptare nëpërmjet Federatës “Vatra” organizoi një tubim në Boston më 17 nëntor të vitit 1912. Mes tjerave, u fol edhe për rrezikun e madh që u kanosej vendeve shqiptare nga ushtritë e vendeve fqinje, andaj si rezultat i këtyre rrethanave, në këtë tubim u vendos që t’u dërgoheshin telegrame: trashëgimtarit të fronit të Austrisë, perandorit të Gjermanisë, mbretit të Italisë, si dhe ministrave të punëve të jashtme të Austrisë, Gjermanisë dhe Austrisë. Gjithashtu nëpërmjet këtij organizimi të diasporës shqiptare, u bëhej e ditur Anglisë, Francës dhe Rusisë, që nëse do të lejohej copëtimi i Shqipërisë, atëherë do të organizohej një kryengritje mbarrëshqiptare në Ballkan.
Edhe në qytete të tjera të Amerikës, në gjysmën e parë të vitit 1913, u organizuan tubime të përmasave të mëdha, nëpërmjet të cilave diaspora shqiptare u drejtohej shteteve pjesëmarrëse në Konferencën e Londrës, që të mbrojnë pavarësinë e Shqipërisë dhe tërësinë territoriale të shpallur në nëntor të vitit 1912. Motoja kryesore e këtyre tubimeve ishte: Shqipëria për shqiptarët dhe shqiptarët për Shqipërinë.
Duke marrur parasysh që Konferenca e Londrës nuk përfundoi në favor të shqiptarëve, disa muaj pas saj, diaspora shqiptare e Amerikës përsëri u ngrit në protesta dhe tubime, duke promovuar dhe përkrahur idenë e tërësisë tokësore të Shqipërisë brenda hapësirës së përfshirë në kufijtë e saj etnik. Intelektualët shqiptarë që qëndronin në krye të Komitetit Shqiptar të Amerikës, në formë proteste dërgonin telegrame drejt Fuqive të Mëdha Evropiane, pjesëmarrëse në Konferencën e Londrës, me qëllim që të ndërhynin dhe për të penguar masakrat të cilat bëheshin ndaj popullsisë shqiptare, me theks të veçantë ndaj asaj dibrane dhe kosovare.
Veprimtaria e diasporës shqiptare të Amerikës e organizuar rreth Federatës “Vatra”, luajti edhe një rol mjaft të rëndësishëm mes viteve 1915-1920, ku jo vetëm që kërkohej dhe mbështetej mbrojtja e kufijve të Shqipërisë etnike, por edhe Shqipëria me kufijtë e përcaktuar në Konferencën e Londrës. Në Konferencën e Parisit që u mbajt pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, u shfaqën tendenca që të zhduknin Shqipërinë nga harta politike e Ballkanit, andaj roli i diasporës shqiptare në këtë rast ishte që të paktën të mbrohej Shqipëria e pranuar në Konferencën e Londrës.
Shënim: Ky opinion është i ndërtuar në bazë të ideve dhe të dhënave të marra nga Dr. Valentina Duka, të kumtesës të prezantuar në simpoziumin e vitit 1993 me titull “Dibra dhe etnokultura e saj”.