Tregu i bursës dhe monedha e lirës turke shënuan rritje, pasi investitorët besojnë se fitorja e Rexhep Tajip Erdogani në zgjedhjet presidenciale do të sjellë stabilitet politik në vend.
Këtë mëngjes lira turke u fuqizua me 1.5 për qind në 4.5920 lira për dollar në raport me 4.6625 lira për dollar që ishte ditën e premte.
Që nga fillimi i vitit, lira turke ka humbur gati 20 për qind të vlerës kundrejt dollarit amerikan edhe pse arriti ta merrte veten pas një rritjeje të normës së interesit nga Banka Qendrore Turke.
Presidenti Erdogan, u kishte bërë thirrje shtetasve turq që të konvertojnë kursimet e tyre dollarë apo euro në lira, duke kërkuar të forcojë monedhën që është në vështirësi, pasi që kishte humbur vlerën e saj kundrejt dollarit amerikan.
Në Turqi dje janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme presidenciale dhe parlamentare në të cilat afër 60 milionë votues zgjodhën presidentin e shtetit dhe përbërjen e re të Kuvendit.