3500 vdekje regjistrohen çdo ditë në botë nga infeksionet e hepatitit viral. Alarmi jepet nga një raport i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Sëmundja e cila prek mëlçinë nëse nuk trajtohet ka rrezik të shtuar për cirrozë dhe kancer.
Sipas raportit, numri i jetëve të humbura për shkak të hepatitit viral është në rritje. Kjo sëmundje është shkaku i dytë kryesor infektiv i vdekjeve në nivel global – me 1.3 milionë vdekje në vit, nga 1.1 milionë që ishte më parë. Nga këto, 83% u shkaktuan nga hepatiti B dhe 17% nga hepatiti C.
Referuar të dhënave të ekspertëve të OBSH, rreth 304 milionë njerëz jetonin me hepatitin viral B dhe C në 2022. Infeksioni kronik i hepatitit B dhe C është më shumë i shprehur tek grupmosha 30-54 vjeç; dhe meshkujt përbëjnë 58% të të gjithë rasteve.
Hepatitet janë mjaft të rritur në disa grupe risku, si tek përdoruesit e drogave intravenoze, hemofilikët dhe të politransfuzuarit te të cilët mund të arrijë 70-80%.