Rusia anuloi një shkëmbim të rënë dakord të të burgosurve me Ukrainën, i cili duhej të bëhej më 14 janar, njoftoi Shtabi Koordinues i Ukrainës për Trajtimin e të Burgosurve të Luftës, shkruan The Kyiv Independent, përcjell Fol Drejt.
Rusia dhe Ukraina kishin rënë dakord të shkëmbenin 40 të burgosur lufte, tha për Reuters më 11 janar Ombudspersoni i të Drejtave të Njeriut të Rusisë, Tatiana Moskalkova.
Rusia thuhet se refuzoi të vazhdojë me shkëmbimin “në minutën e fundit”, megjithëse nuk u dhanë detaje të mëtejshme.
“Nuk është e vështirë të hamendësosh arsyet e një vendimi të tillë”, tha autoriteti ukrainas.
Më herët, më 14 janar, Rusia nisi sulmin e saj të 10-të masiv me raketa në Ukrainë, duke synuar infrastrukturën kritike të Ukrainës. Sulmi vrau të paktën pesë persona dhe plagosi pothuajse 60 të tjerë, duke goditur një ndërtesë apartamentesh nëntëkatëshe në Dnipro.
Sulmi mbarëkombëtar dëmtoi infrastrukturën kritike në disa rajone, sipas kryeministrit Denys Shmyhal. Goditjet shkaktuan ndërprerje emergjente në rajone të shumta.
Të paktën 3,392 ushtarë dhe civilë ukrainas mbeten në robërinë ruse që nga 3 janari, sipas Alyona Verbytska, Komisionere e Presidentit. Këto janë numrat që Rusia ka konfirmuar zyrtarisht, tha ajo.
Ukraina ka marrë afro 1600 robër lufte në vitin 2022, sipas Ministrisë për Riintegrimin e Territoreve të Pushtuara Përkohësisht. /FolDrejt/