Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar zyrtarisht SPAK për heqjen e imunitetit të Sali Berishës. Letra, që mban firmën e kryetares Lindita Nikolla, i është dërguar Prokurorisë së Posaçme pas votimit paraditen e së enjtes me 75 vota pro për t’i hequr imunitetin e deputetit dhe për t’i hapur rrugë arrestimit të tij.
Një ditë më parë në Kuvend u dorëzuan dy raportet e përpiluara nga anëtarët e Këshillit të Mandateve të cilët votuan në mbështetje të kërkesës së SPAK për t’i hapur rrugën arrestimit të Sali Berishës. Të dy raportet, si i mazhorancës dhe opozitës i rekomandonin Kuvendit dhënien e autorizimit ndaj kërkesës së SPAK që kërkon heqjen e imunitetit të Berishës dhe më pas arrestimin e tij.
Si PS ashtu edhe PD argumentuan se akuzat ndaj Berishës nuk janë politike. Në raportin e tij të gjatë Enkelejd Alibeaj ndalet te faktet që SPAK ka paraqitur ndaj Berishës duke përmendur se ish-kryeministri akuzohet se ndryshoi disa ligje për të favorizuar dhëndrin në privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
Sali Berisha akuzohet nga SPAK se ka kryer ndryshime ligjore në përfitim të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, duke kryer për rrjedhojë veprën penale të korrupsionit aktiv të zyrtarëve të lartë, vepër penale që parashikon dënim deri në 12 vite burg.
Sipas prokurorëve, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, vendimet e Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit në kohën kur Berisha ishte kryeministër, mundësuan që dhëndri i tij të ndërtonte biznesin e një kompanie në të cilën ishte aksioner i padeklaruar dhe përfituar minimalisht 5.4 milionë euro dividente të paguara cash.
Fillimisht ndaj tij SPAK caktoi masën e sigurimit me detyrim paraqitje dhe ndalim të daljes jashtë vendit, vendime këto që nuk u zbatuan nga Sali Berisha, cka detyroi më pas prokurorinë e posacme t’i drejtohet Kuvendit për ashpërsim të masës së sigurisë.