SBASHK-u përmes një kumtese për media i ka bërë thirrje Ministrit të Arsimit, Shyqyri Bytyqi që të ketë kujdes me mësimdhënësit e arsimit të mesëm të lartë.
Kjo sindikatë konsideron se anëtarët e tyre, të punësuar në arsimin e mesëm të lartë nuk janë fajtor pse nuk u është dhënë mundësia e as hapësira për të vazhduar me ngritjen profesionale pa shkëputje nga puna e për të arritur titullin master dhe prandaj pa ua krijuar në mënyrë institucionale këtë mundësi, si u veprua me ata që kishin Shkollën e Lartë Pedagogjike, nuk mund as të mendohet nga dikush që atyre t’u vihen në pikëpyetje vendet e punës, në të cilat janë me vite e dekada.
“Pas përgatitjeve të duhura në Fakultetet e edukimit ishin dërguar në ngritje profesionale të gjithë të punësuarit në arsimin e mesëm të ulët, që nuk kishin kaluar moshën 50 vjeç e që ishin me Shkollën e Lartë Pedagogjike. Ky aktivitet i ngritjes profesionale pa shkëputje nga puna është në përfundim e sipër”, thuhet në njoftim.
Po ashtu përmendet edhe një udhëzim administrativ i ish-ministrit të arsimit, Arsim Bajrami.
“Nga ana tjetër MASHT , gjegjësisht ministri i atëhershëm , prof. rr. Arsim Bajrami kishte nxjerr Udhëzimin Administrativ 06/2015 që ka të bëj me Normativin mbi Kuadrin Profesional të Arsimit të Përgjithshëm, neni 12 i të cilit thotë se : “se pas përfundimit të vitit shkollor 2017-2018 shpallet konkursi për vende të lira pune për të gjithë kandidatët që nuk i plotësojnë kriteret e kualifikimit si më lartë”, që nënkupton se deri në këtë kohë të gjithë të punësuarit në arsimin e mesëm duhet të kenë titullin master”, thuhet në reagim.
Sipas SBASHK-ut, me këto kuadro nuk është vepruar si me kolegët e tyre që kishin SHLP-në.
“Këta nuk u dërguan me lista në Fakultetin e Edukimit për të vazhduar me ngritjen profesionale e për të ardhur të titulli master dhe prandaj nuk është e drejtë që të vihet në zbatim nga DKA-të neni 12 i këtij Udhëzimi Administrativ”, thuhet në komunikatë.
SBASHK-u ka thënë se që në fillim ka alarmuar Ministrin Bytyqi lidhur me këtë çështje dhe ka kërkuar nga ai që të veprojë dhe shtyjë afatin që e ka përcaktuar ish Ministri Bajrami dhe të obligohet Fakulteti i Edukimit që të krijojë hapësirë e të caktojë kuadro adekuate që do të punonin me të gjithë mësimdhënësit e arsimit të mesëm, që nuk janë më të vjetër se 50 vjeç në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi për ngritje të duhur profesionale.