Kalifornia Qendrore është në rrezik nga përmbytjet katastrofike këtë fundjavë, thanë meteorologët, pasi stuhia e tetë radhazi godet tokën, e cila nuk është më e aftë për të thithur shi tjetër.
Shteti më i populluar në SHBA është goditur prej tri javësh nga reshjet historike, përcjell Fol Drejt.
”Pas përmbytjeve, rrëshqitjeve të dheut, ndërprerjeve të shumta të energjisë elektrike dhe rënies së pemëve, kjo seri stuhish ka marrë edhe të paktën 19 jetë njerëzish”, sipas autoriteteve.
Një sistem i ri i presionit të ulët goditi Kaliforninë të premten dhe autoritetet në qendër të shtetit janë veçanërisht të shqetësuar.
Sipas parashikimeve, gadishulli Monterey mund të gjendet i shkëputur nga bota për shkak të valëve në rritje dhe i gjithë qyteti i Salinas, i cili ka 160 000 banorë, mund të përmbytet.
“E gjithë Lugina e Lower Salinas do të përjetojë përmbytje katastrofike”, paralajmëroi Shërbimi i motit i SHBA (NWS).
“I gjithë qyteti i Salinas është në rrezik nga përmbytjet. Pjesa më e madhe e Castroville do të përmbytet. Të gjitha rrugët pranë lumit Salinas do të jenë të përmbytura dhe të pakalueshme dhe më shumë se 36 000 hektarë tokë bujqësore pritet të bien nën ujë”, shtoi ai.
Lumi Salinas, tashmë i fryrë nga disa javë shiu të rrëmbyeshëm, pritej të arrinte kulmin të premten, duke shpërthyer brigjet e tij dhe duke shkaktuar përmbytje që mund të zgjasin deri të dielën./FolDrejt/