Shkruan: Sefer Tahiri
Shikuar në pikëpamje historike, por edhe të bashkëkohësisë, shkenca, jo vetëm shqiptare, por edhe ajo botërore ofron argumente të shumta politike, shoqërore, të filozofisë së jetës dhe psikologjisë sociale, e mbi të gjitha etnokulturore, që janë dëshmi e gjallë mbi përbashkimin e shqiptarëve, pavarësisht gjeografisë së tyre, por nuk ka asnjë mëdyshje se identiteti shqiptar është gjuhësor përkatësisht identiteti ynë bazohet tek gjuha si shtyllë e tij e palëkundur!
Gjuha shqipe, me dialektet dhe të folmet e shumta të saj, të shkruarit, përdorimi dhe kultivimi i saj, së bashku me interferencat me gjuhë tjera ballkanike por jo vetëm, është studiuar në vazhdimësi nga studiues të ndryshëm të hapësirës akademike shqiptare, por kjo gjuhë, për shkak të lashtësisë së saj, por edhe për shkak se i përket popullit që në Ballkan gjithmonë ka qenë me peshë, asnjëherë nuk i është shmangur optikës shkencore evropiane dhe amerikane, ndërsa në këtë drejtim veçohen studimet gjermane.
Natyrisht se të qenit fokus shkencor i studiuesve të zellshëm evropian, e në veçanti të atyre gjermanë flet shumë vetvetiu në aspektin shkencor, sepse me anë të këtyre hulumtimeve empirike dhe me metoda të argumentimit është dëshmuar autoktonia e shqiptarëve. Por, interesimi i shkencëtarëve gjermanë ka rëndësi për shqiptarët edhe në aspektin gjeopolitik dhe përdëftimin se shqiptarët i takojnë edhe identitetit evropian. Meqë në fushën gjeopolitike rastësia nuk ekziston, ky interesim shkencor, është pasuar me angazhimin e kombeve mike të shqiptarëve, jo vetëm në shtetndërtimin e Shqipërisë në vitin 1912, por edhe në arritjen e pavarësisë së Kosovës si shtet dhe në avancimin e statusit të shqiptarëve e në veçanti të shqipes në Maqedoninë e Veriut.
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve Shkup me edicionin “Ditët e Alfabetit” po tregon mirënjohje jo të vogël për përkushtimin e madh që kanë dhënë studiuesit gjermanë jo vetëm mbi shqipen, por edhe mbi shumë veçanti të strukturës identitare të shqiptarëve, e cila është komplekse, por edhe e pakontestueshme, sado që furtuna të ndryshme herë pas herë fryjnë mbi nënqiellin e tyre.
Në program sot kemi dy studiues të rëndësishëm. Duke mos bërë shkallëzime mbi peshën që kanë për albanologjinë do themi vetëm se këta studiues kanë bërë aq shumë për shqipen dhe shqiptarët, që ka qenë një fat i madh për ne.
Në program sot kemi studiuesit Maksimilian Lambercin dhe Johan Georg Van Han, dy emra të mëdhenj që palodhur kanë gjurmuar në trevat shqiptare, dy kolosë të albanologjisë bashkëkohore, që me aq prurje sa kanë sjellë për ne, duhet studiuar por edhe reflektuar mbi studimet e tyre.
Suksese sesionit shkencor, ndërsa Instituti do të vazhdojë rrugëtimin e gjurmimit mbi studiuesit e huaj për shqipen dhe shqiptarët./FolDrejt/