Kryeministri i qeverisë Serbe, Ana Brnabiç dhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Herzegovinës, Denis Zvizdiç, folën sot përmes telefonit në lidhje me situatën në Kosovë dhe ranë dakord se deri tani nuk do të ndërmerrin masa reciproke për Prishtinën.
“As Serbia e as Bosna dhe Hercegovina nuk do të ndërmarrin lëvizje të shpejta drejt Prishtinës, sado që të jetë e vështirë në këtë situatë”, njoftoi sonte qeveria serbe.
Brnabiq dhe Zvizdiq ranë dakord se sjellja e Prishtinës është e papranueshme, ajo destabilizon rajonin dhe procesin e integrimit rajonal saqë integrimi po kthehet prapa dhe largohet nga rruga evropiane.
Serbia dhe Bosna dhe Hercegovina do të mbeten të përkushtuar ndaj vlerave evropiane dhe respektit për marrëveshjet ndërkombëtare, në veçanti ndaj Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe CEFTA-s, dhe së bashku do të ftojnë përsëri Komisionin Evropian, vendet anëtare të BE-së, si dhe misionin e OKB-së në Kosovë që taksa prej 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina të hiqet sa më parë.
Para se të vendosen këto taksa nga Prishtina zyrtare, me ndihmën e BE-së dhe nën patronazhin e procesit të Berlinit procesi në rajon ishte në drejtimin e duhur, bashkëpunimi i rajonit ishte në nivelin më të mirë në dekadat e fundit dhe po në këtë rrugë duhet të vazhdohet sa më shpejt sapo Prishtina ta tërheqë vendimin e saj për taksat.
“Veçanërisht shqetësuese për Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Serbinë është fakti se një sjellje e tillë nga Prishtina dërgon një mesazh të keq për të gjithë rajonin dhe se futja e njëanshme e një takse, nëse vazhdon më tutje, do të dekurajojë investitorët dhe do të dëmtojë zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe cilësinë e jetës së të gjithëve në rajon. Brnabiç dhe Zvizdiç ranë dakord të qëndrojnë në komunikim të vazhdueshëm për të punuar së bashku me BE-në dhe OKB-në në zgjidhjen e kësaj problematike që prek tërë rajonin”, tha qeveria serbe në një deklaratë./danas.rs