Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Importit për tremujorin e parë të vitit 2023, transmeton Fol Drejt.
Sipas këtij indeksi, çmimet e importit u rritën për 1.1 për qind në tremujorin e parë të vitit 2023 krahasuar me tremujorin e katër të vitit 2022.
Ngritje më të mëdha të çmimeve sipas sektorëve ishin te: produktet bimore (16.6%); letra dhe artikujt e saj (8.2%); lëkura dhe artikujt e saj (5.2%); tekstili dhe artikujt e tekstilit (3.4%); artikujt e gurit, llaçit, produktet e qeramikës dhe të qelqit (2.9%); produktet e industrive kimike (2.0%); pajisjet e makinerisë dhe pajisjet elektrike (1.6%); artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani (1.3%); artikujt e ndryshëm të prodhuar (1.1%); mjetet e transportit (1.0%); instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale, muzikorë dhe mekanizmat e orës (1.0%); vajrat ushqyese (0.3%); shtazët e gjalla dhe produktet e shtazëve (0.1%).
Ngritja thuhet se u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorëve te: druri dhe artikujt e ti (-5.4%); plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre (-3.7%); këpucët (-3.5%); metalet bazë dhe artikujt e metaleve bazë (-1.7%); dhe produktet minerale (-0.9%).
Ndërkaq, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2022, çmimet e importit u ngritën në një mesatare prej 8.6%.
Ngritje më të mëdha sipas sektorëve ishin te: produktet bimore (25.2%); letra dhe artikujt e saj (21.2%); artikujt e gurit, llaçit, produktet e qeramikës dhe të qelqit (17.7%); vajrat ushqyese (14.6%); shtazët e gjalla dhe produktet e shtazëve (13.0%); produktet minerale (12.8%); produktet e industrive kimike (9.2%); artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani (7.7%); këpucët (7.4%); mjetet e transportit (7.1%); tekstili dhe artikujt e tekstilit (6.4%); druri dhe artikujt e tij (6.3%); pajisjet e makinerisë dhe pajisjet elektrike (5.7%); plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre (4.4%); dhe artikujt e ndryshëm të prodhuar (1.6%).
Ngritja thuhet se u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorëve te: lëkura dhe artikujt e saj (-4.3%); instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale dhe muzikore, si dhe mekanizmat e orës (-1.5%); si dhe metalet bazë dhe artikujt e metaleve bazë (-1.3%)./FolDrejt/