Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje që nesër të votojnë Shaip Kamberin, në zgjedhjet e përsëritura parlamentare në njësinë numër gjashtë në Tërnoc.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë që vota për Shaip Kamberin dhe për Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës është detyrë patriotike e secilës e secilit me të drejtë vote.
Kjo pasi sipas Kurtit, Serbia po tenton t’ua pamundësojnë shqiptarëve ta kenë zërin e tyre në Kuvend.
“Është e domosdoshme që nesër, deri në mesditë, shqiptarët e Luginës, Tërnocit, t’i japin mesazh dhe mësim atyre që ushqejnë mosdurim ndaj faktorit shqiptar, duke i goditur përpjekjet e atyre që provuan ta ndalin zërin shqip në Beograd. Goditja fillon me votën e parë në hapje të vendvotimeve, duke arritur numrin e votave të nevojshme për Shaipin dhe përkrahjen për të. Vota për Shaip Kamberin dhe për Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës nesër, është detyrë patriotike e secilës e secilit me të drejtë vote”.
“Shaipi është flamurtar në parlament e jashtë tij, për të treguar të vërtetën e për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në parlamentin e Serbisë dhe për t’u angazhuar kundër shtypjes së vazhdueshme nga pushteti i regjimit autokratik në Serbi”, ka shkruar Kurti.