Të martën FC Liverpul do luajë ndeshjen e kthimit kundër Yjve të Kuq të Beogradit, ku në rast se fiton do kualifikohet direkt për në ⅛ e finales, shkruan foldrejt.com. Megjithatë, në këtë ndeshje vendimtare nuk do luajë shqiptaro-zvicerani Xherdan Shaqiri (27).
Pavarësisht se 27 vjeçari është tepër i kënaqur që luan përsëri në Champions League, trajneri Jürgen Klopp (51) ka vendosur që të mos e marrë në Beograd.
“Shaqiri e ka pranuar dhe e ka kuptuar. Ne duam ti shmangemi spekulimeve dhe duam të udhëtojmë duke u fokusuar 100 përqind në futboll dhe jo në gjëra të tjera,” tha trajneri i Të Kuqve, mëngjesin e së hënës. “Shaqiri është lojtari ynë, ne e duam atë, dhe ai do luajë edhe shumë kohë për ne. Por jo të martën.”
Përndryshe Shaqiri pak ditë më parë deklaroi se kërkon të luajë kundër Yjve të Beogradit dhe se “futbolli është futboll dhe politika është politikë”.