Duke e quajtur një arritje të madhe, presidenti Joe Biden njoftoi të martën se Shtetet e Bashkuara kanë dërguar më shumë se 110 milionë doza të vaksinës së koronavirusit në 65 vende që janë ndër më të goditurat në botë nga pandemia.
Presidenti theksoi se Uashingtoni nuk po bën kërkesa në këmbim të dhurimit të vaksinave. “Dhe nuk ka asnjë favorizim dhe asnjë detyrim. Ne po e bëjmë këtë për të shpëtuar jetë njerëzish për t’i dhënë fund kësaj pandemie,” tha Presidenti Biden.
Në përgjigje të një pyetjeje nga Zëri i Amerikës nëse vendet e tjera me të ardhura të larta duhet të ndjekin shembullin e Shteteve të Bashkuara, presidenti u përgjigj: “Unë mendoj se ato vende që kanë qenë në gjendje të mbulojnë popullsinë e tyre me vaksina dhe kanë aftësinë të japin ose fonde ose vaksina për 100 vendet e varfëra që kanë nevojë për ndihmë duhet ta bëjnë një gjë të tillë”, transmeton FolDrejt.com.
Presidenti Biden shtoi se disa vende nga grupi i G-7, që bënë premtime të tilla në samitin e tyre të fundit në Britani, i kanë përmbushur këto angazhime.
Tom Hart, shefi ekzekutiv i fushatës ONE, një organizatë globale që lufton varfërinë ekstreme dhe sëmundjet e parandalueshme, pajtohet me thirrjen e Presidentit Biden, që vendet e tjera të pasura të bëjnë më shumë.
Një samit në shtator që presidenti amerikan planifikon të organizojë “duhet të jetë një pikë kthese, me angazhime të reja shtesë për të marrë vaksina për të gjithë dhe për të adresuar ndikimin shkatërrues ekonomik të COVID-19.,” shtoi zoti Hart.
Shumica e dozave të vaksinave amerikane janë dërguar përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si dhe përmes partneriteteve rajonale si Bashkimi Afrikan dhe Komuniteti i Karaibeve.
Presidenti Biden tha se administrata e tij e ka përmbushur zotimin për të falur së paku 80 milionë vaksina për vendet e tjera në mbarë globin dhe se ato janë pjesa e parë e qindra miliona dozave të tjera që Shtetet e Bashkuara do të japin në javët e ardhshme.
Njoftimi i presidentit vjen mes rritjes së infeksioneve në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën, të nxitura nga varianti shumë ngjitës, Delta.
Gjatë muajit të kaluar, rastet e reja mesatare ditore të COVID-19 në Shtetet e Bashkuara shkuan në mbi 85,000. Kjo është shifra më e lartë nga kulmi i parë verën e kaluar dhe është në një nivel që nuk është parë që nga mesi i shkurtit të këtij viti.
Presidenti Biden, në komentet e tij të së martës, kritikoi vendimet e disa shteteve amerikane për të mos respektuar udhëzimet për vënien e maskës.