Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, i cili qëndron për vizitë në Korenë e Jugut, ka deklaruar se SHBA-ja është e përkushtuar të mbrojë aleatin e saj të Azisë Lindore në rast të një kërcënimi.
Siç raporton agjencia e lajmeve ‘Yonhap’, Austin, i cili dje mbërriti në Seul për bisedime mbi çështjes e sigurisë me homologun e tij koreano-jugor, Lee Jong-sup, tha se nëse një kundërshtar sfidon Korenë e Jugut ose SHBA-në, kjo po sfidon “aleancën në tërësi” të të dy vendeve. Ai riafirmoi angazhimin “e hekurt” të SHBA-së ndaj aleatit aziaatik, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Austin i referohej Koresë së Veriut pasi vitin e kaluar tensionet midis Seulit dhe Phenianit u rritën pas lëshimeve të raketave dhe stërvitjeve ushtarake.
“Ky angazhim përfshin aftësinë konvencionale, bërthamore dhe të mbrojtjes raketore të SHBA-së, si dhe praninë e 28.500 trupave amerikane të uniformuar (në Kore të Jugut)”, tha Austin.
Në fillim të këtij muaji, presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, tha se Seuli dhe Washingtoni për t’iu përgjigjur kërcënimeve të Koresë së Veriut po diskutojnë për zbatimin e përbashkët të planeve, përfshirë asetet bërthamore të SHBA-së.
“Koreja e Jugut dhe SHBA-ja janë në bisedime për shkëmbimin e informacionit, planifikimin e përbashkët dhe planet e përbashkëta që pasojnë në lidhje me funksionimin e aseteve bërthamore të SHBA-së për t’iu përgjigur armëve bërthamore të Koresë së Veriut”, tha Kim Eun-hye, sekretar i lartë presidencial për çështjen e mediave.
Tensionet në Gadishullin Korean janë rritur përsëri, me Korenë e Veriut që lëshoi dhjetëra raketa në një seri testesh të armëve vitin e kaluar, përfshirë raketa balistike ndër-kontinentale./FolDrejt/