Shefi në largim i shërbimit të inteligjencës izraelite, Mossad, ka lënë të kuptohet për përfshirjen e mundshme të Izraelit në sulmet e fundit në ndërtesat bërthamore të Iranit dhe ndaj një shkencëtari iranian edhe pse nuk e tha decidivisht se Izraeli mbante përgjegjësi për këto veprime.
Deklarata e Yossi Cohen për televizionin izraelit Channel 12, përfshihet një deklaratë që sugjeronte se edhe shkencëtarët e tjerë iranianë që punojnë në aktivitetet bërthamore të Iranit mund të jenë cak i atentateve.
Paraqitja e shefit në largim të Mossadit përkon edhe me ditët e fundit në pushtet të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, pasi më 13 qershor është paraparë të mbahet seanca e mosbesimit ndaj qeverisë së tij dhe krijimit të një koalicioni të ri qeverisës.
Përshkrimet e detajuara të operacioneve të mundshme sekrete po ashtu vijnë në kohën kur Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera botërore janë duke negociuar për një kthim të mundshëm në marrëveshjen botërore të vitit 2015, që Uashingtoni e braktisi tre vjet më parë.
Programi bërthamor i Iranit, që qeveritë perëndimore druajnë se ka për qëllim të rrisë kapacitetet për të ndërtuar armë bërthamore, dhe sanksionet e SHBA-së ndaj Teheranit, janë në qendër të këtyre përpjekjeve. Irani pretendon se ambiciet e tij bërthamore kanë për qëllim përdorimin civil, raporton Alsat M, percjell Foldrejt.com