Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka njoftuar se mbrëmë, në Kino Armata, janë shfaqur tre dokumentarë për të dokumentuar rëndësinë e objekteve të trashëgimisë moderne përmes rrëfimeve personale të shfrytëzuesve të tyre.
“Dokumentari “Ngjyrat” u realizua mbi ndërtesën e Bankosit në Pejë, i cili flet për arkitekturën e tij dhe si e shihnin punonjësit këtë ndërtesë, disa prej të cilëve folën për rëndësinë që ajo kishte asokohe.
“Vijat” i realizuar mbi ndërtesën e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, për të cilin folën me shumë nostalgji për rëndësinë e veçantë që objekti kishte për rininë dhe aktivitetet kulturore e rekreative.
Dokumentari i tretë “Kupollat” fliste për Bibliotekën Kombëtare, duke shfaqur jo vetëm vlerat e saja kulturore, por edhe arkitekturore.”, thuhet në njoftimin e kësaj Ministrie.
Tutje, bëhet e ditur se pas dokumentarëve, u zhvillua një diskutimin për të shpalosur këndvështrimet e profesionistëve të arkitekturës mbi vlerat dhe rëndësinë e arkitekturës moderne në Kosovë.
Pjesë e panelit ishin profesori i arkitekturës, Ilir Gjinolli, dhe autorja e dokumentarëve, Flaka Xërxa Beqiri./FolDrejt/