Numri i viktimave në përleshjet mes policisë dhe protestuesve që kërkonin dorëheqjen e presidentes Dina Boluarte dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Peru është rritur në 53.
Në qytetin Macusani në provincën Carabaya, zyrtari shëndetësor dr. Ivan Fernandez bëri të ditur se nga dhuna gjatë protestave kanë humbur jetën 2 persona tjerë dhe një tjetër është plagosur, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Pas incidentit, protestuesit i vunë flakën komisariatit dhe godinës së gjykatës. Policia e Macusanit deklaroi se forcat e sigurisë janë detyruar të largohen me helikopter nga komisariati, të cilit i është vënë flaka.
Numri i personave që humbën jetën në demonstratat antiqeveritare që nga 11 dhjetori 2022 është rritur në 53 ndërsa numri i të plagosurve ka kaluar mbi 700.
Sipas të dhënave të Avokatit të Popullit, të paktën 42 nga 53 personat e vdekur në protesta kanë humbur jetën si pasojë e ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të forcave të sigurisë.
Presidentja Dina Boluarte më 10 janar bëri thirrje edhe një herë për dialog me protestuesit dhe kërkoi t’u jepet fund protestave.
– Shkarkimi i Castillo-s
Protestat shpërthyen në Peru për largimin e ish-presidentit Pedro Castillo nga Kongresi më 7 dhjetor 2022.
Ish-presidenti Castillo u fajësua nga Kongresi me akuzën e “pamjaftueshmërisë morale”, me të cilën ai u akuzua për rrëzim të qeverisë.
Vendimi për shkarkimin e Castillo-s nga posti i tij u miratua në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të 7 dhjetorit, me 101 vota pro, 6 kundër dhe 10 abstenime.
Shkak i vendimit është dhënë “uzurpimi i detyrave publike, pengimi i funksionimit të pushteteve shtetërore dhe tentativa për të cenuar rendin kushtetues”.
Castillo u arrestua pas vendimit të tij për të shpërndarë Kongresin dhe për të formuar qeveri kombëtare të emergjencës.
Më vonë, zv/presidentja Dina Boluarte u betua si presidente e re e vendit.
Gjykata e Lartë e Perusë hodhi poshtë ankesën kundër paraburgimit 18-mujor të Castillo-s dhe më 30 dhjetor 2022 vendosi të vazhdojë dënimin.
– Zgjedhjet do të mbahen në prill të vitit 2024
Me kërkesën e Boluarte-s për zgjedhje të parakohshme, u vendos që zgjedhjet të mbahen në prill të vitit 2024 në votimin e mbajtur në Kongres.
Për shkak të viktimave, më 17 dhjetor 2022, dy ministra dhanë dorëheqje nga postet e tyre ndërsa Avokati i Popullit i kërkoi Prokurorisë të nisë “hetim urgjent”./FolDrejt/