Kryeministri Denys Shmyhal ka deklaruar se programi i rindërtimit të Ukrainës pas luftës do të jetë projekti më i madh i rindërtimit që nga Lufta e Dytë Botërore, raporton Ukrinform, përcjell Fol Drejt.
“Përfaqësimi i nivelit të lartë i partnerëve tanë në seancën e Rindërtimit të Ukrainës dëshmon edhe një herë interesin e botës dhe shkallën e projektit. Rindërtimi i Ukrainës do të jetë projekti më i madh i rindërtimit që nga Lufta e Dytë Botërore, një nxitës për rritjen e shpejtë të Ukrainës, dhe një shtysë e re për ekonominë evropiane”, tha Shmyhal, duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos përmes një video lidhje.
Sipas tij, zbatimi i projekteve të restaurimit do të ofrojë mundësi qindra miliarda dollarë për kompanitë private.
“Mbrojtja, industria bujqësore, IT, energjia e rinovueshme, prodhimi i gazit, nxjerrja dhe përpunimi i titanit dhe mineraleve të tjera, zhvillimi i logjistikës, ndërtimi. Ky është vetëm një numër i vogël industrish që do të bëhen bazë për ekonominë e së ardhmes në Ukrainë. Por ne nuk presim përfundimin e armiqësive, ne tashmë kemi filluar të rivendosim infrastrukturën dhe stokun e banesave në territoret e çliruara. Falënderoj partnerët për ndihmën që po japin tani. Gjithashtu bëj thirrje për pjesëmarrje të bashkuar në rindërtimin e Ukrainës. Për hir të prosperitetit tonë të përbashkët”, tha kryeministri. /FolDrejt/