Edhe pse në një vit pandemik, që kufizoi udhëtimet, mbi 2 mijë fëmijë nga Shqipëria kanë aplikuar për azil në një nga vendet e Bashkimit Evropian dhe Zvicër.
Të dhënat u publikuan nga Zyra Evropiane e Statistikave, në raportin e fundit për aplikimet për azil nga fëmijët, nga Shqipëria përbënin 12 për qind të totalit nga shtetet evropiane. Në vend të parë është Turqia me 24 për qind dhe Rusia me 23 për qind.
Të dy këto shtete kanë një popullsi shumë më të lartë se vendi ynë, duke bërë që Shqipëria të jetë rekord për aplikimet për azil të fëmijëve në raport me popullsinë.
Në vend të katërt është Moldavia me 10 për qind dhe më pas renditet Serbia me 8 për qind.
Sipas Eurostat, në total kishte 2,125 aplikime nga fëmijët shqiptarë në vendet e BE-së dhe Zvicër në 2020-në, nga të cilët gati 83 për qind ishin nën 14 vjeç. Në krahasim me vitin e mëparshëm aplikimet kanë rënë rreth tre herë për shkak të kufizimeve të pandemisë, raporton lajmi.net, përcjell FolDrejt.com.
Në vitin 2019, rreth 10 për qind e aplikimeve nga fëmijët u bënë në Britaninë e Madhe, por në 2020-në, Eurostat nuk ka raportuar të dhëna për shtetin që ka dalë tashmë nga BE-ja.
Midis atyre fëmijëve, 10 për qind ishin të mitur të pashoqëruar që korrespondonin me 3 për qind të numrit të përgjithshëm të azilkërkuesve për herë të parë.