Një shqiptar është arrestuar në ishullin e Korfuzit në Greqi, me akuzën e vrasjes së vajzës së tij.
Mediat në vendin fqinjë shkruajnë se trupi i 28-vjeçares Anxhelina Petro, u gjet i varrosur në oborrin e shtëpisë, në pjesën e pasme. Vajza ishte denoncuar e zhdukur mëngjesin e 2 janarit.
Ka qenë një burrë nga Afganistani që ka denoncuar zhdukjen e saj në policinë greke, duke shpjeguar se 28-vjeçarja shqiptare ishte e dashura e tij, por babai i saj ishte kundër lidhjes së tyre dhe kishte tentuar ta ndalonte të bijën me çdo mënyrë që të takonte afganin.
Policia mori në pyetje të atin, i cili fillimisht nuk e pranoi krimin. Por rrëfimet e tij me pasaktësi dhe të mjegullta në disa momente, bënë që policia të insistonte pikërisht tek shqiptari. Ka qenë rrëfimi i tij që ka çuar policinë drejt vendit ku ishte varrosur trupi pas krimit. Mbi trupin e 28-vjeçares u konstatuan shenja dhune, por do të jenë ekspertët mjeko-ligjorë që do të certifikojnë shkakun e vdekjes.
Viktima punonte në një dyqan në Korfuz, ku edhe kishte njohur burrin nga Afganistani. Vajza vazhdonte ta takonte të dashurin e saj, me gjithë kundërshtimin e familjes. Familja Petro jetonte prej vitesh në Greqi, ku kishte emigruar nga Berati, qyteti i origjinës. /a.a/ Albanian Free Press Online/