Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së me votimin e mbrëmshëm ka shtyrë edhe për një ditë tjetër seancën maratonë të votimit, e cila sërish nuk arriti të zgjedhë kryetarin e ri.
Kandidatura e liderit republikan Kevin McCarthy për postin vazhdon të refuzohet nga një grup i “disidentëve të partisë” së tij, të cilët mbetën të palëkundur në kundërshtimin e tyre gjatë gjashtë raundeve të votimit, pavarësisht afrimit me ish-presidentin Donald Trump, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Grupi prej gati 24 republikanësh përbëhet kryesisht nga aleatë të palëkundur të Trump-it, kurse kundërshtimi i tyre ka çuar në një ngërç që nuk është parë në politikën amerikane për 100 vjet.
McCarthy të mërkurën humbi edhe një tjetër mbështetëse, pasi përfaqësuesja e sapozgjedhur e Indianës, Victoria Spartz, zgjodhi të abstenojë tri herë të mërkurën, në ato që në fakt ishin vota kundër McCarthy pasi dha mbështetjen e saj të martën.
Republikani pretendent për postin më të lartë të dhomës mund të përballojë kundërshtimin e vetëm katër anëtarëve të grupit të tij parlamentar nëse dëshiron të arrijë shumicën e nevojshme në Dhomën e Përfaqësuesve prej 435 anëtarësh, për të siguruar postin e kryetarit. Mbetet e paqartë se si ai mund të sigurojë këtë mbështetje deri në fund, por siç shihet, mund të ketë politika të rënda pas dyerve në Kapitol përpara rimbledhjes së planifikuar të Dhomës të enjten në mesditë.
Ndërkohë, 20 republikanët që mbështetën kandidatin tjetër përkundër McCarthy-t të mërkurën, u rreshtuan pas përfaqësuesit të sapozgjedhur Byron Donalds nga Florida pasi Jim Jordan, si kandidati i tyre i parë, refuzoi vazhdimisht propozimin e tyre duke shprehur mbështetjen për McCarthy. Ndryshe nga Jordan, Donalds pranoi propozimin e tyre.
Duke e nominuar zyrtarisht gjatë raundit të katërt të votimit, përfaqësuesi i Teksasit, Chip Roy, tha se ligjvënësi i ardhshëm reflekton ndryshimin e nevojshëm që i nevojitet vendit dhe si përfundim, nuk u propozua nga McCarthy.
“Ka një arsye të rëndësishme për nominimin e Bayronit, dhe kjo është se ky vend ka nevojë për ndryshim. Ky vend ka nevojë për udhëheqje që nuk pasqyron këtë qytet. Ky qytet që është shkatërruar keq”, tha Roy.
“Nuk jemi në vendin ku duhet të jemi për të garantuar se do të jemi në gjendje të ngrihemi përballë moçalit që vazhdon të fundos popullin amerikan në aspekt ditor dhe të shpenzojmë parat që nuk i kemi”, shtoi ai.
Ky rast shënon herën e parë të tillë në 100 vjet që një i nominuar nuk arriti të fitojë mbështetjen e mjaftueshme për t’u bërë kreu i dhomës në disa raste të votimit.
Mosmarrëveshja e hapur brenda republikanëve ishte në kontrast të plotë me mbështetjen unike midis demokratëve për përfaqësuesin Hakeem Jeffries për postin e kryetarit. Gjithsej, 212 demokratë e mbështetën Jeffries, por ai nuk pritet të fitojë për shkak të mungesës së mbështetjes nga republikanët për të kapërcyer pragun e 218 votave.
Kundërshtimi i palëkundur nga kritikuesit e McCarthy erdhi përkundër thirrjes së ish-presidentit Trump për t’i dhënë fund kundërshtimit të tyre dhe për të mbështetur liderin republikan.
“Edhe nëse presidenti im i preferuar na telefonon dhe na thotë se duhet ta ndalojmë këtë – mendoj se në fakt duhet ndryshimi”, tha përfaqësuesja Lauren Boebert, një kundërshtare e McCarthy-t që nominoi Donalds në raundin e pestë.
“Presidenti duhet t’i thotë Kevin McCarthy-t, ‘Zotëri, nuk i keni votat dhe është koha të tërhiqeni'”, tha ajo./FolDrejt/