Kryeministri Albin Kurti kishte paralajmëruar vizitë në SHBA gjatë muajit nëntor, por kjo nuk ndodhi.
Kurti në Kuvend gjatë një debati me deputetët e opozitës gjatë muajit shtator kishte thënë se do të udhëtojë në Amerikë gjatë muajit nëntor, raporton telegrafi, përcjell FolDrejt.com.
Por kjo vizitë sipas Qeverisë tashmë do të realizohet vitin tjetër.
“Kryeministri Kurti do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizita e paralajmëruar për në nëntor është shtyrë për në pjesën e parë të vitit të ardhshëm. Që nga marrja e detyrës, tetë muaj më parë, kryeministri Kurti ka zhvilluar vizita zyrtare në qendra të rëndësishme perëndimore si Bruksel, Paris e Vjenë e që do të vazhdojnë edhe në qendra të tjera vendimmarrëse, përfshirë Uashingtonin”, njoftoi Qeveria.
Më 9 dhe 10 dhjetor, Presidenti amerikan Joe Biden do të organizojë një Takim virtual për Demokracinë, në të cilin do të marrin pjesë udhëheqës botërorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe sektorit privat për të luftuar autoritarizmin, korrupsionin dhe për të mbështetur respektimin e të drejtave të njeriut.
Kosovën në këtë takim pritet ta përfaqësoje presidentja Vjosa Osmani.