Këto ditë nëpër rrjetet sociale qarkullon një video shumë domethënëse për kohën që jetojmë. Para një audience, një dijetar mban një ligjëratë mbi atë se cilat janë metodat nëpërmjet të cilave mund të shkatërrohet një civilizim. Kur dijetari përmend metodat e shkatërrimit, për një moment fillon që ti përjeton në realitetin që jetojmë. Janë pikërisht këto tre themele të shoqërisë moderne, të cilat janë dobësuar aq shumë apo kanë nisur që të shemben.
Themeli i parë i një shoqërie apo civilizimi është familja. Shkatërrimi i institucionit familje paraqet edhe shembjen e shtyllës së parë të kalasë të civilizimit. Zbehja e rolit të gruas në familje dhe krijimi i bindjeve që profesioni i amvises dhe nënës është jashtë mode, ka çuar në atë që familja të kalojë në raporte formale;
Themeli i dytë është arsimimi. Zbehja e respektit për arsimtarët, edukatorët dhe profesorët, paraqet fazat e para të shembjes së kësaj shtylle shumë të rëndësishme. Me kalimin e kohës, pikërisht ato gjenerata të cilat nuk kanë respektuar paraardhësit, do ti zëvendësojnë në institucionet arsimore. E çka mund të pritet nga gjenerata e ardhshme?
Themeli i tretë është shembëlltyra. Në të gjithë periudhat e historisë njerëzore, shoqëritë dhe familjet kanë pasur nevojë për shembëlltyra. Në Greqinë e Lashtë ishin pikërisht filozofët që gëzonin këtë respekt. Në historinë fetare këtë rol marrin profetët dhe njerëzit e mirë, kurse në kohët moderne shoqëritë duhet të kenë shembëlltyrë vlerat pozitive dhe njerëzit me dije dhe moral të lartë.
Nëse këta tre shtylla shemben, atëherë çfarë tjetër mund të mbetet? Realisht, asgjë.