Radiotelevizioni i Serbisë (RTS) për katër muaj nuk ka pasur asnjë sekondë kritike apo qëndrim negativ ndaj presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq në të përditshmen qendrore, njoftoi sot Byroja për Hulumtime Sociale (BIRODI).
“Gjatë monitorimit katër mujor të pasqyrimit të Aleksandër Vuçiqit në Dnevnik 2 të RTS-së, nga 1 dhjetori 2022 deri më 30 mars 2023, BIRODI ka konstatuar se aktori i përmendur është paraqitur me 77.9 për qind të kohës pozitive, 22.1 për qind të kohës neutrale, por asnjë sekondë kohe negative/kritike”, tha BIRODI.
Në atë organizatë besojnë se redaksia e RTS-së me një raportim të tillë, përveç Kodit të Gazetarëve të Serbisë, ka shkelur edhe Kushtetutën e Serbisë, Ligjin për Informimin Publik, Ligjin për Mediat Elektronike, Ligjin për Mediat Publike. Shërbimin dhe Rregulloren për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në fushën e Shërbimeve Mediale.
Siç thuhet në njoftim, BIRODI i është drejtuar Organit Rregullativ për Media Elektronike (REM), i cili ka obligim ligjor të veprojë sipas aplikacionit të dorëzuar dhe të përcaktojë nëse nenet e Rregullores për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në fushën e shërbimeve mediatike janë shkelur.
BIRODI, shton se i është drejtuar edhe Bordit Drejtues të RTS-së, për të cilin pretendojnë se ka obligim të emërojë dhe zëvendësojë redaktorët në RTS.
“Ne besojmë se mbulimi promovues i Presidentit Aleksandër Vuçiq në Dnevnik 2 është në kundërshtim me nenin 4, paragrafi 1 i Ligjit për Shërbimet Mediale Publike, i cili garanton informacion të vërtetë, të paanshëm, të plotë dhe në kohë, përkatësisht me nenin 6 të Statutit të RTS-së, e cila garanton edhe informimin e vërtetë, të paanshëm, të plotë dhe në kohë të qytetarëve të Serbisë”, ka thënë BIRODI në një deklaratë, shkruan Danas, transmeton Fol Drejt.