Gjermania ka nevojë urgjente për mjekë dhe motra medicinale dhe tashmë ka filluar bashkëpunimin me shtete të treta për të sjellë forcën punëtore të nevojshme. Sigurimi shëndetësor privat DKV ka zbuluar një rrugë tjetër – ai ka lidhur një bashkëpunim me një universitet privat në Kosovë, shkruan media e mjekëve në Gjermani aerztezeitung.de.
“Përveç që mjekët në Gjermani vijnë nga Filipinet, Kina dhe Vietnami tashmë DKV po mendon që të vendosin vetë ata se kush do të vijë në Gjermani. Për këtë është lidhur një bashkëpunim me Universitetin AAB në Prishtinë, ku prej para dy vjetësh është hapur një degë e re „Nursing“. 800 studentë ka këtu – më shumë se 90 përqind kanë dëshirën që më vonë të transferohen në ndonjë vend të jashtëm në Europë,” përcjell foldrejt.com.
Përveç shkollimit të degës së mjekësisë, studentët kosovarë paralelisht duhet të mësojnë edhe gjermanishten deri në nivelin B2. Kurse më pas për t’u pranuar në një punë në Gjermani, ka edhe pak barriera administrative, pasi aplikimi në ambasadën gjermane mund të zgjasë deri një vjet.
Për shkollimin DKV ka investuar rreth 5200 euro për një student, kryesisht për shkak të kurseve të gjuhës./Foldrejt.com