Mes tensioneve në ngushticën e Tajvanit për shkak të udhëtimeve të njëpasnjëshme të ligjvënësve amerikanë në Tajvan, Kina filloi stërvitjet ushtarake treditore në Detin e Verdhë.
Administrata Kineze e Sigurisë Detare (CMSA) lëshoi një njoftim për ndalimin e hyrjes së anijeve joushtarake në zonat ku do të zhvillohen stërvitjet, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Stërvitjet ushtarake filluan të mërkurën dhe do të zgjasin deri të premten, raportoi e përditshmja kineze “Global Times”.
Ushtria kineze ka zhvilluar stërvitje të mëdha që nga fillimi i këtij muaji menjëherë pasi kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, bëri një vizitë të paparalajmëruar në Tajvan, të cilin Pekini e sheh si “provincën e saj të shkëputur”.
Pekini dënoi udhëtimin, sanksionoi Pelosin dhe familjen e saj dhe rishikoi dialogun ushtarak me SHBA-në, përveç marrjes së pesë “kundërmasave” të tjera.
Megjithatë, këtë të diel, 12 ditë pas udhëtimit të Pelosit, një tjetër delegacion i ligjvënësve amerikanë zbarkoi në Taipei ku u takuan me Presidenten e Tajvanit, Tsai Ing-wen, me të cilën biseduan për sigurinë dhe zinxhirin e furnizimit.
Brigadat e forcave tokësore, detare dhe ajrore të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës zhvilluan stërvitje të paprecedentë, duke mbajtur manovra me raketa balistike që fluturuan mbi ishullin e vetëqeverisur dhe ranë në ujëra, të pretenduara nga Japonia si zonat e saj ekskluzive ekonomike. Pekini thotë se nuk është bërë demarkacioni detar mes dy vendeve.
Ushtria kineze njoftoi të mërkurën se baza e saj detare e Komandës Jugore dërgoi një flotë në Detin e Kinës Jugore dhe kreu stërvitje katërditore ushtarake ajrore dhe antiraketore, duke përfshirë interceptimin e raketave dhe shkatërrimin e objektivave në det të hapur.
Pekini ka paralajmëruar se SHBA-ja do të “shfrytëzojë” situatën në ngushticën e Tajvanit dhe do të rrisë praninë e saj ushtarake në rajon, pas udhëtimit të Pelosit.
Qin Gang, ambasadori i Kinës në SHBA, i kërkoi gjithashtu Uashingtonit “të ndalojë retorikën dhe veprimet që do të përshkallëzonin tensionet”.
“Pelosi vizitoi rajonin e Kinës, Tajvanin me lejen dhe marrëveshjen e qeverisë amerikane, e cila ka shkelur rëndë angazhimet e marra nga SHBA. Faktet kanë vërtetuar se ky është një provokim i qartë politik dhe farsë”, u tha Qin gazetarëve amerikanë në një intervistë të përbashkët të martën.
Qin fajësoi palën amerikane e cila “ndërmori hapin e parë duke provokuar Kinën për çështjen e Tajvanit dhe shkeli hapur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës”.
“Kina ka bërë përpjekjet maksimale për të parandaluar që kjo krizë të mos i imponohej Kinës. Ne kemi shprehur kundërshtimin e fortë në nivele të ndryshme dhe përmes kanaleve të ndryshme. Ne kemi paralajmëruar se nëse Pelosi realizon vizitën, do të ketë pasoja shumë të rënda. Kina do të përgjigjet me vendosmëri dhe me forcë. Për keqardhjen tonë, SHBA-ja zgjodhi të mos dëgjojë”, tha ai./FolDrejt/