Në Sri Lankë, e cila po përjeton krizën më të madhe ekonomike në historinë e saj, protestuesit kanë bastisur ndërtesën e Kryeministrisë.
Sipas lajmit të BBC-së, protestuesit kanë thyer dyert e zyrës së kryeministrisë që gjendet në kryeqytetin Colombo, duke vërshuar në zonën ku gjendet kompleksi, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Gjatë bastisjes, kryeministri Ranil Wickremesinghe nuk ndodhej në zyrë dhe është jashtë rrezikut.
Më 9 korrik, protestuesit në Sri Lankë hynën në rezidencën e kryeministrit, duke i vënë flakën ndërtesës. Prej asaj dite, Wickremesinghe është duke u fshehur.
Ndërkohë, përderisa dje ishte konfirmuar se presidenti i vendit, Gotabaya Rajapaksa, është larguar nga vendi, protestuesit e zemëruar gjithashtu i bënë thirrje Wickremesinghe-s për dorëheqje.
Edhe pse nuk dihet se ku ndodhet kryeministri Wickremesinghe, zyra e tij vazhdon të marrë vendime si gjendje të jashtëzakonshme dhe orë policore.
Pasi u largua vendi Rajapaksa, i cili pritet të njoftojë dorëheqjen, Wickremesinghe u emërua si zv/president. Bëhet e ditur se emërimi u bë në përputhje me paragrafin 1 të nenit 37 të Kushtetutës së Sri Lankës.
Nga ana tjetër, u pezullua edhe transmetimi i kanalit televiziv kombëtar ‘Rupavihini’ i Sri Lankës.
Autoritetet thanë se inxhinierët mbyllën kanalin pasi protestuesit sulmuan zyrën e televizionit shtetëror.
Situata në Sri Lankë
Qytetarët në Sri Lankë pas ndërprerjeve të energjisë elektrike 13 orë në ditë intensifikuan protestat e tyre në fund të marsit.
Ndërkohë, pati një përplasje midis demonstruesve të mbledhur rreth zyrës së kryeministrit të Sri Lankës më 9 maj dhe mbështetësve të qeverisë, ndërsa njësitë ushtarake u thirrën në detyrë në kryeqytetin Colombo.
Pas dhunës u shpall një shtetrrethim mbarëkombëtar dhe qeveria urdhëroi që të qëllohej ndaj kujtdo që dëmtonte pronën publike gjatë protestave.
Në protestat e përhapura në të gjithë vendin kanë humbur jetën tetë persona, mes tyre një deputet i partisë në pushtet, dy policë dhe të paktën 250 të tjerë u plagosën./FolDrejt/