Jam i lumtur dhe plot optimizëm se, atë që e kam shkruar, sot katër vite më parë, veçse e shoh të trupëzuar ditë pas dite në realitetet e një bote të trazuar, që kërkon zgjidhje e alternativa shpëtimi..! Ky rrugëtim i shenjtë i rimëkëmbjes së ymetit nuk ka më kthim pas, përtej asaj që, shpesh pasqyron pesimizëm e mosbesim në realitetet që na mbërrijnë rrejshëm a turbullt..!? Përtej të vërtetave të dhimbshme, ka edhe shumë e shumë shenja të begata që ngacmojnë vetëdijen e besnikëve për t’u zgjuar, drejt rimëkëmbjes, drejt bashkimit e lidhjes së duarve në shërbim të këtij kerameti të madh për mbarë njerëzinë, përtej ymetit që po rikthehet..!
Në këtë rrugëtim të gjatë, patjetër që do të dalin në pah tradhëtia, pabesia, frika e dinakëria, shitja e lirë e mungesa e dinjitetit nga brenda, krahas urrejtjes shekullore, histerisë së të paekuilibruarve mendërisht, islamofobëve dhe atyre që luajnë me dy a më shumë standarte në arenat ndërkombëtare në dëm të njeriut e jetës në ekuilibër me natyrën e ligjet e Zotit në të!
Të gjitha do të dalin në pah, për t’u pastruar çinari ynë shekullor nga gjethet e kalbura, si dhe për të dëshmuar se nuk ka goditje nga jashtë që e dëmton, a ia thanë rrënjët e përhapura gjithandej në nëntokën e këtij globi e në damarët e zemrave të miliardave, në çdo cep të botës, që Dritë i japin me zërin e pastër e të thekshëm të teuhidit!
Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 18 dhjetor 2020
———‐—————————————————-
“Ky ymet ringrihet mbi kujtesën e së shkuarës!”…
Është e pamundur ta vizitosh e të mos tërhiqesh pas këtij vendi të paqtë, edhe pa e njohur në thellësi dhe detaje historinë e tij…
Ka një frymë të padukshme, krejtësisht transparente, që të përshkon qenien, teksa shkel mbi këtë tokë…
Hapësira e madhe e saj, pozita gjeografike, mali, deti, terreni thuajse malor, gjelbërimi me shumëllojshmërinë e florës, e shumë detaje të tjera të ngulitura në memorie, e bëjnë të lakmueshme për t’u vizituar sërish, edhe pse je larguar prej saj…
Emri i kësaj toke, është emër i madh. Peshon rëndë dhe, madje, nuk ka të peshuar.
Në vetvete, ky emër mbart në vetvete një histori të madhe lavdie, sakrificash sublime, vetëmohimi e shtrëngim duarsh të shumta për një qëllim të shtrenjtë.., një qëllim që u kthye në histori mrekullie, me bekimet dhe përkujdesjen hyjnore të Zotit të gjithësisë…
Sot, u ula në gjunjë mbi këtë tokë të begatë! Ndjeva një emocion të madh, teksa prekja një nga simbolet e saj, mbi të cilin ishte shkruar emri i Shkodërloces së shtrenjtë, që i fali ymmetit, në ditët e tij më të vështira dhe vendimtare, djemtë e saj më të mirë, në mbrojtje të dinjitetit, krenarisë, historisë së shekujve plot dritë teuhidi, paqeje, sigurie e drejtësie..!
Sot, u ndjeva krenar dhe i fortë, teksa lexoja emrat e nderuar të shehidëve të panumërt, nga Shkodra, Elbasani, Dibra, Mitrovica, Gjakova, Prizreni, Shkupi, Tetova e, sa e sa qytete shqiptare e nga mbarë trojet e ymmetit…
Sot, nga kjo tokë përhapej kudo drita e pashuar e lavdisë së martirëve të dinjitetit e krenarisë legjitime të këtij besimi, kësaj feje e këtij humanizmi të bekuar islam!
Sot, mesazhet që përhapeshin gjithandej në hapësirat e Çanakalesë, rrezatonin shpresë ripërtëritjeje, rizgjimi e rimëkëmbjeje të një ymmeti, që Zoti e zgjodhi të jetë “Dëshmitar i Njerëzimit”… Sikur thonin: “Ky ymet ringrihet mbi kujtesën e së shkuarës!”…
Imam Muhamed B. Sytari
Çanakale, 18 dhjetor 2016