Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës, ka shpallur ditë zie këtë të premte, në nderim të figurës së ish Sekretares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Madeleine Albright, transmeton Fol Drejt.
Flamujt shtetëror ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.
“Në shenjë respekti shtetëror, dita e premte, datë 25 mars 2022, shpallet ditë zie në Republikën e Kosovës për të kujtuar miken e madhe të Kosovës, Madeleine Albright e cila u nda nga jeta dje.
Zonja Albright e njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, thuhet në vendimin e presidentes./FolDrejt/