Emrat e karateistëve kosovarë janë paraqitur në listën e pjesëmarrësve të kampionatit botëror të karatesë, që sot nis në Madrid të Spanjës.
Por në listën e gjatë në faqen zyrtare nuk figuron askund emri i Kosovës.
Kosova do të paraqitet me 13 karateistë në botërorin për të rritur, që pritet të garojnë pa simbole të vendit.
Se trajtimi ndaj garuesve të Kosovës nuk është i njëjtë me atë ndaj garuesve të tjerë dëshmon lista e publikuar e pjesëmarrësve. Në vend të emrit “Kosova”, figuron shkurtesa WKF5, një shkurtesë e Federatës Botërore të Karatesë për të identifikuar karateistët nga Kosova.
Nga organizatori nuk janë dhënë informata për trajtimin e pabarabartë të karateistëve kosovarë, ndërsa nga Federata e Karatesë e Kosovës janë dhënë pak detaje.
Drejtuesit e Federatës së Karatesë së Kosovës kanë bërë të ditur se po përballen me telashe politike në botërorin që nis të martën në Spanjë, raporton Kosova Press.