Një ekip i profesorit Dirk Baier nga Shkolla e Lartë e Cyrihut ka kryer një anketë me 8300 persona, shumica të moshës 17 dhe 18 vjet, për të zbuluar sesa ata janë të integruar në shoqërinë helvete, shkruan foldrejt.com, duke u bazuar në gazetën “Luzerner Zeitung”.
Nga përgjigjet e të rinjve me origjinë të huaj është përpiluar “Indeksi i Integrimit” me maksimalisht 100 pikë. Sipas këtij studimi të rinjtë më të integruar janë austriakët (83) dhe gjermanët (80). Me vlera të ulta shfaqen të rinjtë nga Ballkani. Turqia dhe Serbia kanë marrë 60 pikë, vendet e Afrikës Veriore 59 pikë, kurse në fund të listës është Kosova (57) dhe Maqedonia me 55 pikë.
Të rinjtë janë pyetur për tre tema: rrethi miqësor, identifikimi me Zvicrën dhe arsimimi.
Vetëm një në pesë turq dhe shtetas të Maqedonisë thanë që njëri nga pesë miqtë më të ngushtë është një zviceran. Për të huajt tjerë mesatarisht kjo shifër është 75 përqind.
Çdo i treti shtetas i Kosovës dhe Maqedonisë theksuan se duhet të martohen nga rrethi i tyre kombëtar që të ruajnë traditat. Kjo shifër ishte 12 përqind te të pyeturit e tjerë, kurse te zviceranët pa origjinë të huaj ishte vetëm 11 përqind.
Sa i takon arsimimit, 43 përqind të gjermanëve vizitojnë një gjimnaz, kurse për shtetasit e Maqedonisë dhe Kosovës kjo është vetëm shtatë përqind, përcjell foldrejt.com.
Por studimi është kritikuar nga delegatja e integrimit nga Kantoni i Cyrihut, Nina Gilgen, duke thënë se personat mund të jenë njëlloj të integruar nëse ndjekin gjimnazin ose shkollën profesionale.
“Për të matur indeksin e integrimit ka shumë faktorë tjerë”, tha Gilgen./Foldrejt.com